Hungaria ndalon ngjarjet publike të LGBTQ+, shpërthejnë protestat

Nga A2 CNN
14 Prill 2025, 18:25 | Bota

Hungaria ndalon ngjarjet publike të LGBTQ+, shpërthejnë protestat

Parlamenti hungarez ka miratuar një paketë amendamentesh kushtetuese që përfshijnë ndalimin e manifestimeve LGBTQ+ dhe ofron një bazë kushtetuese për mohimin e njohjes së identiteteve transgjinore dhe interseksuale. Amendamenti u miratua nga Parlamenti me 140 vota pro dhe 21 kundër dhe lejon gjithashtu përdorimin e njohjes së fytyrës për të gjurmuar dhe gjobitur pjesëmarrësit.

Sipas amendamentit kushtetues, “të drejtat e fëmijëve për zhvillim moral, fizik dhe shpirtëror mbizotërojnë mbi çdo të drejtë tjetër themelore përveç të drejtës për jetë, përfshirë të drejtën për tubim paqësor”.

Ndryshimet kanë të bëjnë edhe me përcaktimin e gjinisë. “Seksi i një personi në lindje është një karakteristikë biologjike dhe mund të jetë mashkull apo femër”, thuhet në tekstin e miratuar, duke e bërë kështu të pamundur mbajtjen e ngjarjeve që konsiderohen në kundërshtim me vlerat tradicionale.

Amendamenti lejon gjithashtu përdorimin e teknologjisë së njohjes së fytyrës për të identifikuar dhe ndëshkuar pjesëmarrësit në protesta, duke ngritur shqetësime serioze për shkeljen e privatësisë dhe të drejtave civile.

Një aspekt tjetër ka të bëjë me mbrojtjen e sovranitetit përballë ndërhyrjeve të huaja të supozuara. Amendamenti parashikon mundësinë e pezullimit të shtetësisë së shtetasve hungarezë me shtetësi të dyfishtë, nëse kjo paraqet një kërcënim për sigurinë kombëtare. Përcaktohet një periudhë maksimale prej dhjetë vjetësh, me mundësi dëbimi për ata që banojnë në Hungari.

Ndryshime janë bërë edhe në ligjet që rregullojnë gjendjen e jashtëzakonshme, duke e kufizuar mundësinë e qeverisë për të marrë vendime me dekrete pa autorizimin e shumicës së dy të tretave të Parlamentit.

Sipas rregulloreve aktuale, qeveria mund të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme për 30 ditë, e cila mund të zgjatet me dy të tretat e shumicës së Asamblesë Kombëtare deri në 180 ditë

Këto masa kanë shkaktuar reagime të ashpra nga opozita dhe organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Votimit i parapriu protesta e deputetëve të opozitës dhe disidentëve të cilët tentuan të pengonin hyrjen e deputetëve të mazhorancës në Parlament. Protesta po zhvillohen edhe në pjesë të tjera të kryeqytetit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos