I dyti në pak javë. Rrëzohet avioni ushtarak rus Il-76, kishte 15 persona në bord

Nga A2 CNN
12 Mars 2024, 13:01 | Bota

Një aeroplan transportues ushtarak Il-76 është rrëzuar në rajonin Ivanovo të Rusisë.

Lajmin e ka bërë të ditur ministria ruse e Mbrojtjes për agjencitë shtetërore të lajmeve, ndërsa videot që qarkullojnë në platformën X tregojnë avionin, i cili rrëzohet në një zonë pyjore pak pasi një prej motorëve të tij shpërthen në flakë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:00 me orën lokale, në rajonin që ndodhet në verilindje të Moskës.

Në bordin e avionit ndodheshin tetë anëtarë të ekuipazhit dhe shtatë pasagjerë.

TASS, duke cituar një zyrtar anonim të shërbimit të urgjencës, raportoi se të 15 personat në bordin e avionit besohet se kanë vdekur.

Rrëzimi i këtij avioni vjen disa javë pasi një aeroplan IL-76 që Moska pretendonte se mbante 65 të burgosur lufte ukrainas u rrëzua në një rajon rus në kufi me Ukrainën. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos