Amerika do të tërhiqet shumë shpejt nga lufta me Iranin. Presidenti Donald Trump, i cili pritet të mbajë një fjalim të rëndësishëm sonte, nënvizoi se gjithçka mund të përfundojë për 2 ose 3 javë, raporton A2CNN.
“Kemi rrëzuar një regjim dhe pastaj rrëzuam regjimin e dytë. Tani kemi një grup njerëzish që janë shumë të ndryshëm. Ata janë shumë më të arsyeshëm, dhe shumë më pak të radikalizuar. Kemi pasur ndryshim regjimi. Kemi të bëjmë me njerëz që janë shumë më racionalë.”
Deklarata ishte më e qarta e Trump deri më sot, se ai synon t’i japë fund së shpejti një lufte një mujore që ka riorganizuar Lindjen e Mesme, ka prishur tregjet globale të energjisë dhe ka ndryshuar trajektoren e presidencës së republikanit.
Ai shtoi se Teherani nuk ka nevojë të bëjë një marrëveshje me Uashingtonin për t'i dhënë fund konfliktit. Në vend të kësaj, tha Trump, kërkesa për ndërprerjen e operacionit ishte që Irani të “vendosej në epokën e gurit”, pa aftësinë për të arritur së shpejti një armë bërthamore.
Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, tha se vendi i tij ka “vullnetin e nevojshëm” për t'i dhënë fund luftës me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, për sa kohë që përmbushen disa kushte të caktuara.
Ndërkohë, kreu i Komitetit të Sigurisë Kombëtare të Parlamentit iranian, Ebrahim Azizi, thotë në një postim në X duke iu drejtuar Donald Trump, “ngushtica e Hormuzit me siguri do të rihapet, por jo për ju”, duke iu referuar bllokimit të korridorit kryesor të transportit detar nga Irani që ka shkaktuar rritjen e çmimeve globale të energjisë.
Izraeli dhe Irani kanë vazhduar të shkëmbejnë sulme gjatë natës, me raportime për të lënduar pas një sulmi jashtë Tel Avivit, dhe një tanker u godit nga dy predha në brigjet e Katarit. Një person është vrarë në Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa shtetet e Gjirit vazhdojnë të përballen me sulme. (A2 Televizion)