Drejtuesi i departamentit "Brain Gain" në Partinë Demokratike, Ted Kopliku, ka kritikuar politikat ekonomike të qeverisë, duke deklaruar se çdo fëmijë i porsalindur në Shqipëri vjen në jetë me rreth 8 mijë euro borxhe.
I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Kopliku iu referua llogaritjeve të ekspertëve dhe këshilltarëve, sipas të cilave borxhi publik për frymë është rritur, duke bërë që edhe foshnjat të trashëgojnë një detyrim të tillë financiar.
Ai u ndal edhe te politikat fiskale, përfshirë taksimin e dividendit, duke argumentuar se këto masa po rëndojnë ekonominë shqiptare dhe po krijojnë hapësira më të mëdha për pastrimin e parave.
“Folëm për një bonus të fëmijëve të porsalindur. Një llogari të thjeshtë që kishin bërë këta ekspertët, këshilltarët, thoshin që çdo fëmijë, përveç atij bonusit që merr, lind me 8 mijë euro borxh. Borxhi është rritur për çdo foshnjë të lindur”, u shpreh Kopliku.
Sipas tij, politikat aktuale ekonomike po dekurajojnë bizneset e ligjshme dhe të rinjtë që duan të investojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen në Shqipëri.
“Të gjitha këto, edhe të tjerat që tha z. Hasimja, për taksën mbi dividendin, e kalcifikojnë edhe më shumë ekonominë shqiptare dhe e bëjnë një hapësirë edhe më të lirë për pastrimin e parave, dhe vrasin iniciativën e bizneseve të pastra apo të rinjve që duan të ndërtojnë të ardhmen në këtë vend”, deklaroi drejtuesi i "Brain Gain' në PD. (A2 Televizion)