Deputetja e Partisë Socialiste, Zamira Sinaj, ka deklaruar se protestat kanë ndikuar negativisht në turizmin e Vlorës, duke sjellë anulimin e një pjese të konsiderueshme të rezervimeve.
Sipas Sinajt, rreth 40-50% e prenotimeve për muajt shtator dhe tetor janë anuluar, duke bërë që Vlora të jetë një nga qytetet më të prekura nga situata e protestave.
Ajo theksoi se protesta, e cila fillimisht nisi si një reagim për çështjet mjedisore në Vlorë, përfundoi duke dëmtuar vetë qytetin dhe ekonominë e tij turistike.
“Protestat kanë ndikuar dukshëm në rezervime. Është shumë e rëndësishme që ta theksoj, që kjo gjë nisi si protestë për ambientin, ku nisi nga Vlora, dhe iu kthye në bumerang Vlorës. Sot që flasim rreth 40-50 për qind e prenotimeve edhe të muajit shtator, tetor, që ishin të prenotuara u anuluan. Pra e dëmtoi më së shumti Vlorën. Turistët, sidomos ata të huaj, tremben nga destabilizimi dhe imazhi negativ që kjo opozitë është duke i bërë një të keqe të madhe vendit. Mbaj mend, kam qenë në gjimnaz në 97-ën dhe na u desh gati dy dekada që ta rindërtonim me sakrifica këtë imazh në arenën ndërkombëtare”, u shpreh Sinaj në një lidhje direkte në “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN.
(A2 Televizion)