Të paktën dy persona u vranë dhe dhjetëra u plagosën pasi një makinë u përplas me një turmë në një treg Krishtlindjesh në qytetin gjerman të Magdeburgut të premten, thanë autoritetet lokale.
Një i rritur dhe një foshnjë vdiqën në sulm dhe shoferi i dyshuar është arrestuar, tha kryeministri i shtetit Saksoni-Anhalt, Reiner Haseloff, në një deklaratë televizive, shkruan A2 CNN.
Të paktën 68 persona u plagosën, 15 prej tyre me lëndime të rënda, sipas një deklarate të postuar në faqen e qytetit në Facebook.
Ndërkohë ka edhe reagime nga Shqipëria lidhur me ngjarjen e rëndë. Presidenti Barjam Begaj dhe kryeministri Edi Rama thanë se ndihen të tmerruar nga kjo ngjarje dhe shprehën solidaritetin me Gjermaninë.
"Shqipëria e dënon ashpër këtë akt barbar dhe qëndron në solidaritet me Gjermaninë në këtë moment të dhimbshëm. Mbetemi të bashkuar kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm", tha kryeministri Rama, shkruan A2 CNN.
Ministria jonë e Jashtme raportoi se nuk kishte shqiptarë të lënduar në sulmin terrorist, ndërsa ministri Igli Hasani shprehu tronditjen e thellë nga lajmi për sulmin mizor në Magdeburg.
“Zemrat tona janë pranë viktimave, familjeve të tyre dhe popullit gjerman gjatë kësaj kohe të vështirë”, shkruan ai. (A2 Televizion)