Një vit më parë, bota besoi se Gaza po dilte nga makthi i luftës. Armëpushimi i presidentit amerikan Donald Trump premtonte fundin e gjakderdhjes, kthimin e pengjeve dhe nisjen e rindërtimit. Por sot, pas këtyre premtimeve, Gaza vazhdon të jetojë mes rrënojave, urisë dhe pasigurisë.
Shtëpitë janë shndërruar në varre betoni, familjet janë dëbuar nga vendbanimet e tyre dhe fëmijët, në vend që të kthehen në shkolla, detyrohen të kërkojnë ujë për të mbijetuar.
Armët nuk kanë heshtur plotësisht dhe paqja mbetet një fjalë që palestinezët e dëgjojnë më shumë në deklarata sesa e përjetojnë në jetën e tyre të përditshme.
Në këtë realitet, pyetja e parë nuk është se kur do të rindërtohet Gaza, por si mund të flitet për paqe kur mbijetesa mbetet ende një betejë e përditshme.
“Pas tre vitesh luftë shkatërruese në Rripin e Gazës, banorët e këtij territori, veçanërisht civilët, po jetojnë në kushte katastrofike. Në Rripin e Gazës po përjetohet një krizë e rëndë humanitare, në kushtet e një bllokade të rreptë izraelite, të hyrjes së kufizuar të ndihmave humanitare, furnizimeve mjekësore dhe ushqimeve, si dhe të shkatërrimit pothuajse të plotë të infrastrukturës. Fëmijët në Rripin e Gazës nuk po shkojnë në shkollë. Përkundrazi, ata enden nëpër rrugët e shkatërruara, duke u përpjekur të gjejnë ujë për familjet e tyre.”, tha Reham Owda Shkrimtare, analiste.
Në dokumentet diplomatike, Gaza është në armëpushim. Në terren, megjithatë, realiteti tregon një histori tjetër. Sulmet izraelite vazhdojnë, ndërtesat shemben dhe civilët vijojnë të humbasin jetën, ndërsa miliona njerëz jetojnë nën kërcënimin e dhunës që mund të shpërthejë në çdo moment. Izraeli argumenton se goditjet synojnë të parandalojnë sulmet e Hamasit dhe riarmatosjen e tij. Por për banorët e Gazës, dallimi mes një lufte të hapur dhe një armëpushimi të brishtë është gjithnjë e më i vështirë për t’u kuptuar… Dhe për sa kohë vdekjet dhe bombardimet vazhdojnë, pyetja mbetet: a është kjo vërtet paqe, apo thjesht një luftë që ka ndryshuar formë?
“Izraeli godet objektiva çdo ditë dhe vret banorë të Gazës, dhe kjo është arsyeja pse nuk ka armëpushim. Izraeli ka, në përgjithësi, kontroll të plotë mbi atë që po ndodh në Rripin e Gazës, dhe kjo është arsyeja pse nuk ka absolutisht asnjë armëpushim.”, tha Ali Jarbawi.
Reham Owda
“Situata shëndetësore është shkatërruese. Janë përhapur shumë sëmundje, si dhe ka ndotje të mjedisit. Njerëzit po jetojnë në tenda të amortizuara, të cilat nuk i mbrojnë as nga temperaturat e larta të verës dhe as nga të ftohtit e dimrit. Po i afrohemi një dimri me reshje shiu në Rripin e Gazës. Pa dyshim, të gjithë ose shumica e personave të zhvendosur do të përmbyten nga këto ujëra shiu, pa pasur asnjë mbrojtje. Përveç kësaj, Izraeli vazhdon politikën e bombardimeve. Për më shumë se një ditë në javë, Izraeli godet disa ndërtesa dhe rrugë, me pretekstin se po synon anëtarë të Hamasit.”, tha Reham Owda
Plani i Donald Trump parashikonte që armëpushimi të ishte vetëm faza e parë e një procesi më të gjerë, që do të çonte drejt çarmatosjes së Hamasit, tërheqjes izraelite dhe rindërtimit të Gazës. Por pikërisht çështja e armëve është kthyer në një nga pengesat kryesore. Hamasi ka shprehur gatishmërinë për t’ia dorëzuar armët një strukture palestineze, ndërsa Izraeli kërkon çarmatosjen e plotë përpara se të pranojë tërheqjen. Dy palët nuk bien dakord as për atë se kush duhet të garantojë sigurinë dhe as për atë se kush do ta kontrollojë territorin. Kështu, marrëveshja që duhej të hapte rrugën drejt paqes mbetet e bllokuar nga kushtet e papajtueshme të palëve.
“Besoj se Uashingtoni po pret rezultatet e zgjedhjeve në Izrael për të konfirmuar se kush do të jetë kryeministri i ardhshëm. Nëse kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, do të jetë sërish kryeministër, besoj se mund të ketë përpjekje nga ana e Shteteve të Bashkuara për ta bindur Netanyahun që t’i japë një mundësi Bordit të Paqes për të bindur lëvizjen Hamas. Hamasi ka njoftuar zyrtarisht se dëshiron t’i dorëzojë armët, por një komiteti palestinez. Megjithatë, Bordi i Paqes mund të përpiqet ta bindë Hamasin që t’ia dorëzojë armët forcave ndërkombëtare, në vend që t’ia dorëzojë një komiteti palestinez.”, tha Reham Owda
“Nëse përfundon kjo periudhë gjatë së cilës Netanyahu dhe administrata amerikane mund të zhvillojnë negociata, dhe nëse Hamasi vazhdon të qeverisë Rripin e Gazës dhe refuzon t’i dorëzojë armët vullnetarisht, besoj se Netanyahu do ta përdorë këtë si pretekst për të nisur një operacion ushtarak tokësor gradual, jo në shkallë të gjerë, me synimin për të pastruar zona të Rripit të Gazës, për t’i pushtuar ato dhe për t’i përfshirë në të ashtuquajturën ‘Vija e Verdhë’., tha Owda
Në këtë luftë, bilanci njerëzor dhe shkatërrimet janë të pallogaritshme, por beteja politike nuk ka përfunduar. Hamasi synon të mbijetojë si forcë politike dhe të ruajë një rol në të ardhmen palestineze. Qeveria izraelite, nga ana tjetër, kërkon të bindë opinionin publik se objektivat e luftës janë arritur dhe se Hamasi nuk përbën më kërcënim. Këto pritshmëri të kundërta e bëjnë edhe më të vështirë arritjen e kompromisit. Por, ndërsa secila palë përpiqet të imponojë versionin e saj të fitores, Gaza mbetet pa një të ardhme të përcaktuar. Dhe pikërisht këtu qëndron paradoksi luftojnë për të fituar, por askush nuk ka arritur të sigurojë paqen.
“Hamasi ka motivet e veta. Ai dëshiron të ruajë dinjitetin deri në momentin e fundit. Para popullit palestinez, Hamasi paraqitet edhe si një parti politike, e cila, pavarësisht gabimeve ushtarake që mund të ketë bërë, mund të mbetet pjesë e sistemit politik palestinez. Ai dëshiron të marrë pjesë në zgjedhjet legjislative palestineze dhe gëzon gjithashtu mbështetje popullore në Bregun Perëndimor.
Nga ana tjetër, qeveria izraelite, pavarësisht nëse drejtohet nga Netanyahu apo nga dikush tjetër, dëshiron t’i tregojë opinionit publik izraelit se Hamasi është mundur dhe se objektivat e luftës janë arritur, konkretisht, përfundimi i qeverisjes së Hamasit dhe çarmatimi i tij në Rripin e Gazës.
Këto janë motivet që po i pengojnë të dyja palët të bëjnë lëshime. Secila palë ka opinionin e vet publik, i cili ka pritshmëri ndaj saj.”
Përtej çështjes së armëpushimit, një tjetër shqetësim po merr gjithnjë e më shumë peshë: e ardhmja e palestinezëve në tokën ku kanë jetuar prej brezash. Kontrolli izraelit është zgjeruar, ndërsa thirrjet nga politikanë të së djathtës ekstreme për largimin e popullsisë palestineze kanë shtuar frikën se zhvendosja mund të kthehet në një proces të pakthyeshëm. Izraeli mohon se ka plane për dëbim të detyruar, por analistët palestinezë paralajmërojnë se kufizimi i kushteve të jetesës mund t’i shtyjë njerëzit të largohen, edhe pa u dëbuar drejtpërdrejt. Në këtë skenar, rindërtimi i Gazës nuk është thjesht çështje fondesh, por edhe çështje e së drejtës së palestinezëve për të qëndruar në shtëpitë e tyre.
“Izraeli është në kontroll dhe nuk dëshiron ta zbatojë fare këtë plan, sepse ka planin e vet, i cili synon t’ua kufizojë jetën banorëve të Gazës deri në atë pikë sa t’i detyrojë të largohen, pra, t’i dëbojë me forcë.
Gjatë luftës shkatërruese, të cilën ai e cilëson si gjenocid, Izraeli nuk arriti ta zbrazte Gazën nga banorët e saj. Tani, ndaj qytetarëve të Gazës po vendosen kufizime të mëdha, në mënyrë që ata të mos mund ta vazhdojnë jetën e tyre dhe, përfundimisht, të nisin të largohen, nën atë që quhet ‘migrim vullnetar’, por që në të vërtetë është migrim i detyruar.”, tha Ali Jarbawi
“Hamasi ka aftësinë të pengojë zhvillimet në Rripin e Gazës, por jo domosdoshmërisht të ndërmarrë veprime të tjera. Megjithatë, ai ende ka mundësi të pengojë zbatimin e diçkaje. Por nuk pres që të ketë vullnetin për ta bërë këtë. Përkundrazi, ai dëshiron ta zbatojë planin.”, tha Ali Jarbawi
Një vit pas armëpushimit, Gaza ndodhet përballë një udhëkryqi. Një skenar parashikon tërheqjen. (A2 Televizion)