Një incident i ri ka ndezur tensionet në Detin e Kinës Jugore, me ushtrinë kineze që njoftoi se kishte "dëbuar" një destrojer amerikan nga një zonë që Pekini e konsideron të vetën, por pronësia e së cilës është e diskutueshme.
Ky veprim i shton një episod të ri përballjes tashmë të tensionuar midis dy fuqive më të mëdha ushtarake në planet, ndërsa deri më tani Uashingtoni nuk ka marrë zyrtarisht një qëndrim.
Sipas informacionit të disponueshëm, Marina Amerikane kishte dërguar destrojerin USS Higgins dhe anijen më të vogël luftarake USS Cincinnati në zonë, duke iu afruar territorit Scarborough Shoal.
Ky është një kompleks shkëmbinjsh nënujorë dhe ishujsh në Detin e Kinës Jugore, i cili është në qendër të një mosmarrëveshjeje të gjatë midis Kinës dhe Filipineve.
Disa ditë më parë, anijet kineze u përplasën me njëra-tjetrën ndërsa ndiqnin një anije të Rojës Bregdetare Filipinase.
Sipas kapiten Jay Tariela, zyrtarët e Rojës Bregdetare po ndihmonin peshkatarët filipinas në Scarborough kur Roja Bregdetare Kineze ekzekutoi një manovër të rrezikshme që shkaktoi dëme të konsiderueshme në kuvertën e përparme të anijes luftarake kineze.
Qeveria kineze konfirmoi incidentin dhe akuzoi Filipinet për ndërhyrje të dhunshme në ujërat që i pretendon si kineze. (A2 Televizion)