Tensionet mes Indisë dhe Pakistanit kanë shpërthyer sërish pas një serie sulmesh me raketa të kryera nga ushtria indiane ndaj territorit pakistanez. Sipas ushtrisë së Pakistanit, janë goditur tre qytete: Kotli, Bahawalpur dhe Muzaffarabad. Lajmin e konfirmoi gjenerali Ahmed Sharif Chaudhry për median pakistaneze "ARY News", ndërsa pala indiane deklaroi se kishte nisur "Operacionin Sindoor" për të shkatërruar baza të dyshuara terroriste.
Ministria indiane e Mbrojtjes tha se veprimet e saj ishin "të sakta dhe të maturuara", duke shtuar se nuk janë shënjestruar struktura ushtarake pakistaneze dhe se sulmet erdhën pas një sulmi më 22 prill në Pahalgam, ku humbën jetën 26 persona – shumica turistë. India fajëson militantët me lidhje në Pakistan për këtë akt.
Pakistani konfirmon tre të vrarë dhe 12 të plagosur, përfshirë civilë. Në Bahawalpur, një raketë goditi një xhami, ndërsa në Muzaffarabad u raportuan shpërthime dhe një ndërprerje totale e energjisë elektrike. Të dy qytetet ndodhen në Kashmirin e kontrolluar nga Pakistani, ndërsa Bahawalpur është në provincën Punjab.
Në reagim, avionë pakistanezë u ngritën menjëherë në ajër, ndërsa autoritetet theksuan se raketat u lëshuan nga hapësira ajrore indiane, pa hyrë në territorin ajror të Pakistanit. Gjenerali Chaudhry paralajmëroi se "sulmet nuk do të mbeten pa përgjigje" dhe se Pakistani do të reagojë "në kohën dhe vendin që do të zgjedhë vetë". (A2 Televizion)