
Policia e Kosovës ka arrestuar Albert Sylajn, i cili dyshohet për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.
I dyshuari është lokalizuar dhe arrestuar të martën, rreth orës 23:40, në Deçan.
Sylaj dyshohet se të dielën vrau me sëpatë ish-kunatën e tij, Arlinda Zekajn, në fshatin Vitomiricë të Pejës.
Policia ka njoftuar se, arrestimi është realizuar pas angazhimeve intensive operative dhe hetimore, si dhe falë bashkëpunimit me qytetarët.
“Pas angazhimeve intensive operative dhe hetimore, si dhe bashkëpunimit me qytetarët, është lokalizuar dhe arrestuar personi i dyshuar, Albert Sylaj, i cili ishte në kërkim lidhur me rastin ‘vrasje e rëndë’ të ndodhur më 25 tetor 2026, në fshatin Vitomiricë të Pejës. Arrestimi është realizuar sonte, rreth orës 23:40, në Deçan, pas veprimeve të ndërmarra nga njësitet përkatëse policore”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Institucioni ka falënderuar qytetarët për ndihmën në lokalizimin e të dyshuarit, duke theksuar se veprimet e mëtejme procedurale do të zhvillohen në koordinim me organet kompetente të drejtësisë.
“Mbesim të përkushtuar në përmbushjen e detyrave ligjore në bashkëpunim me institucionet kompetente, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave të rastit”, ka njoftuar Policia.
Vrasja e Arlinda Zekajt ka nxitur reagime të shumta në vend, pasi viktima, vetëm 3 ditë para ngjarjes tragjike, kishte dorëzuar një parashtresë në Prokurorinë Themelore në Pejë, përmes së cilës kishte paralajmëruar për rrezikun ndaj jetës së saj.
Rasti ka ngritur shqetësime për veprimet e institucioneve përgjegjëse dhe masat e ndërmarra për mbrojtjen e viktimës. Për çka sot, në orën 16:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë është paralajmëruar protestë me kërkesën që vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare. /KosovaPress/
(A2 Televizion)