Iraku përfshihet në luftën e Iranit, teksa Teherani zgjeron fushëbetejën

Nga A2 CNN
20 Mars 2026, 13:52 | Bota

Iraku përfshihet në luftën e Iranit, teksa Teherani zgjeron

Që kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën fushatën e tyre bombarduese kudër Iranit, Teherani ka zgjeruar fushëbetejën në mbarë Lindjen e Mesme.

Kjo përfshin edhe fqinjin perëndimor të Iranit, Irakun, ku forcat aleate të Teheranit kanë kryer pothuajse në baza ditore sulme ndaj caqeve amerikane, përfshirë ndaj ndërtesave diplomatike dhe ushtarake, duke nxitur sulme hakmarrëse ajrore të SHBA-së.

Vetë Irani ka kryer valë të sulmeve me raketa dhe dronë në rajonin gjysmë-autonom kurd në veri të Irakut, ku grupet opozitare iraniane kurde operojnë kampe dhe kanë zyra.

Intensifikimi i dhunës kërcënon që ta destabilizojë Irakun, në shtet me shumicë shiite që ka afër 46 milionë banorë dhe që ende po e merr veten nga vite të pasigurisë pas pushtimit amerikan më 2003 dhe konfliktit të gjatë që nxiti.

“Gjasat që Iraku të përfshihet më thellë në luftën e Iranit janë jashtëzakonisht të larta”, tha Colin Clarke, drejtor ekzekutiv i Qendrës Soufan, institut me seli në Nju Jork.

“Kjo, pjesërisht për shkak të ndikimit të Teheranit, veçmas në dy dekadat e fundit, ku regjimi është bërë, në shumë mënyra i lidhur me milicitë irakiane”.

Kur Izraeli dhe SHBA-ja kryen bombardime në Iran në qershor të vitit 2025, bashkëpunëtorët e Teheranit në Irak gjerësisht nuk u përfshinë.

Por, e ashtuquajtura Rezistenca Islamike në Irak, një organizatë ombrellë e grupeve të armatosura shiite që mbështeten nga Irani, kësaj radhe menjëherë u përfshi në konflikt.

Për dallim nga lufta 12-ditore e qershorit të vitit të kaluar, Irani e sheh konfliktin aktual si luftë për mbijetesë, thonë ekspertët, teksa Teherani po përdor në maksimum aftësitë ushtarake të tij dhe aftësitë asimetrike të bashkëpunëtorëve të tij në mbarë Lindjen e Mesme për t’iu kundërpërgjigjur SHBA-së dhe Izraelit.

“Sponsori kryesor dhe mbështetësi i këtyre grupeve në Irak – regjimi iranian – është në një luftë ekzistenciale aktualisht dhe për ta është ‘o sot, o kurrë’”, tha Farzin Nadimi, specialist për mbrojtjen e Iranit në Institutin e Uashingtonit.

Disa nga grupet që mbështeten nga Irani nga Rezistenca Islamike në Irak janë po ashtu pjesë e Forcave të Mobilizimit Popullor (PMF), një organizatë ombrellë ku bëjnë pjesë kryesisht milicitë proiraniane që ka qenë pjesë e ushtrisë irakiane që nga viti 2016.

Rezistenca Islamike në Irak, që ka fituar nam vitet e fundit, ka kryer dhjetëra sulme ndaj trupave amerikane në Irak dhe Sirinë fqinje që kur Izraeli nisi luftën e tij në Rripin e Gazës në tetor të vitit 2023. Sulmet nga grupet irakiane kanë nxitur SHBA-në që të përgjigjet me sulme ajrore.

Që nga nisja e fushatës ajrore SHBA-Izrael ndaj Iranit, Rezistenca Islamike në Irak ka kryer vazhdimisht sulme me dronë dhe raketa ndaj ndërtesës së Ambasadës amerikane në kryeqytetin irakian, Bagdad.

Një qendër diplomatike dhe logjistike amerikane afër Aeroportit Ndërkombëtar të Bagdadit, ku janë të stacionuar trupa amerikane, po ashtu raportohet se është shënjestruar.

Grupet proiraniane po ashtu dyshohet se kanë lëshuar dronë drejt një baze të madhe ushtarake amerikane dhe kompleksit të Konsullatës në Irbil, kryeqytetit të rajonit gjysmë-autonom të Kurdistanit në Irak.

Kataib Hizballah, një nga grupet më të fuqishme të PMF-së që SHBA-ja e ka shpallur grup terrorist, lëshoi një deklaratë më 17 mars, duke kërkuar që çdo “ushtar i huaj” të largohet nga Iraku, shtet ku afër 2.000 pjesëtarë të personelit të ushtrisë amerikane janë të stacionuar.

SHBA-ja është kundërpërgjigjur duke shënjestruar qendrat e komandës së PMF-së dhe udhëheqësit e grupit në Irak.

PMF-ja tha se dy luftëtarë të saj janë vrarë gjatë dy sulmeve ajrore më 19 mars që u kryen në afërsi të qytetit verior të Mosulit. Grupi fajësoi SHBA-në dhe Izraelin për këto dy sulme të ndara.

Një ditë më herët, aleanca tha se tri luftëtarë të saj u vranë në një sulm të dyshuar ajror amerikan ndaj një qendre komanduese të PMF-së në provincën Anbar, që gjendet në kufi me Sirinë. Gjashtë luftëtarë të PMF-së u vranë në po të njëjtën zonë më 16 mars, tha grupi.

Po të njëjtën ditë, u raportua për një sulm që shënjestroi rezidencën e Abu Ala al-Walai, udhëheqës i Kataib Seyyed al-Shuhada, një prej grupeve më të mëdha të armatosura proiraniane në PMF. Mediat lokale raportuan për vdekjen e gjashtë personave, por është e paqartë nëse al-Walai është në mesin e të vrarëve.

Kataib Hizballah njoftoi më 16 mars se komandanti i lartë dhe zëdhënësi i grupit, Abu Ali al-Askari, u vra në Bagdad, por grupi nuk dha detaje rreth vrasjes së tij.

Pavarësisht sulmeve amerikane, milicitë irakiane që mbështeten nga Irani vazhdojnë të kenë aftësi të konsiderueshme luftarake, sipas ekspertëve.

“Është e pasigurt se si zinxhirët e furnizimit të armëve iraniane janë prekur” nga lufta që po vazhdon, tha Clarke. “Por, është një kartë për Teheranin, një mjet që mund ta përdorë për ta ngritur apo ulur presionin”.

Ndërkaq, Irani vazhdon sulmet me raketa dhe dronë ndaj rajonit kurd të Irakut, shtëpi e dhjetëra grupeve opozitare iraniane kurde që prej vitesh zhvillojnë kryengritje, të nivelit të ulët, kundër Teheranit.

Sulmet iraniane u shtuan pas raportimeve se SHBA-ja me gjasë po furnizon me armë grupet iraniane kurdë dhe po mbështet sulmet tokësore ndërkufitare në perëndim të Iranit.

PMF-ja përbëhet nga dhjetëra milici. Përveç Kataib Hizballah dhe Kataib Seyyed al-Shuhada, grupe të njohura në këtë ombrellë janë edhe Asa'ib Ahl al-Haq, Harakat al-Nujaba dhe Organizata Badr.

Fuqia e secilit grup brenda PMF-së dallon shumë, disa kanë deri në 100 anëtarë e të tjerë më shumë, sikurse Kataib Hizballah që ka afër 10.000 luftëtarë.

Disa milici brenda PMF-së operojnë si bashkëpunëtorë të Iranit, thonë ekspertët, ndërsa të tjerët janë më të pavarur.

Ndikimi që Irani kishte ndaj PMF-së është zbehur që kur më 2020 SHBA-ja vrau komandantin e fuqishëm iranian, Qassem Soleimani, i cili udhëhiqte Forcën Kuds – krahu i jashtëm i Gardës Revoucionare Islamike dhe njësi elitare e forcave të armatosura të Iranit.

Forca Kuds mbikëqyr të ashtuquajturin bosht të rezistencës të Iranit, që është një rrjet i bashkëpunëtorëve dhe grupeve militante të Iranit kundër armiqve të saj të përbetuar Izraelit dhe SHBA-së. Ky bosht përfshin Rezistencën Islamike në Irak, grupin militant libanez Hezbollah dhe rebelët Huthi të Jemenit./REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos