Iran lëshon tjetër raketë kundër Turqisë, Erdogan: Qëllimi ynë kryesor, të qëndrojmë jashtë lufte

Nga Rosalba Bejdo
9 Mars 2026, 22:27 | Bota

Lufta në Iran i afrohet rrezikshëm NATOs dhe Europës. Një raketë balistike e lëshuar nga Irani u shkatërrua nga mbrojtjet e NATO-s në Mesdheun Lindor, por disa pjesë të municioneve ranë më vonë në provincën juglindore të Turqisë, Gaziantep. Njoftimi erdhi nga Ministria turke e Mbrojtjes, që specifikon se nuk pati viktima apo të lënduar. Raportimet fillestare sugjerojnë se raketa ishte drejtuar për në aeroportin ushtarak Inxhirlik, në Turqinë jugore.

Presidenti turk Tayyip Erdogan tha se, pavarësisht paralajmërimeve të sinqerta të Turqisë, Irani kishte vijuar me provokimet duke rrezikuar miqësinë një mijëvjeçare mes dy vendeve. Megjithatë, ai theksoi se qëllimi i tyre kryesor është të mbajnë Turqinë jashtë luftës.

Më herët, Ministria e Mbrojtjes në Ankara paralajmëroi se çdo kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj territorit ose hapësirës së vet ajrore do të kundërshtohet me të gjitha masat e nevojshme, të marra me vendosmëri dhe pa hezitim. Gjithashtu, NATO konfirmoi interceptimin e raketës balistike të drejtuar ndaj Turqisë dhe përsëriti se mbetet e angazhuar për të mbrojtur aleatët nga çdo kërcënim.

Po ashtu, vendet e Gjirit vijojnë të jenë shënjestër e sulmeve të Teheranit, me Emiratet e Bashkuara Arabe që thanë se kishin detektuar 15 raketa balistike ditën e hënë, duke shkatërruar 12. Tre prej tyre thuhet të kenë rënë në det.

Zhvillimet në Lindjen e Mesme po trazojnë tregjet rreth botës, me çmimet e naftës që u rritën në 119 dollarë për fuçi të hënën, nivele të papara që prej mesit të vitit 2022. Çmimet u rritën teksa shumë prodhues të mëdhenj reduktuan furnizimet dhe pasi frika për zgjatje të bllokadës në ngushticën e Hormuzit kaploi tregjet.

Çmimet i rriti edhe emërimi i Mojtaba Khameneit si pasues i të atit, duke sinjalizuar se linja e ashpër mbetet në fuqi në Teheran, 10 ditë pas luftës. Në një prononcim për mediat amerikane, Trump nuk pranoi të fliste për planet e tij lidhur me udhëheqësin e ri suprem, por tha se nuk ishte i lumtur me zgjedhjen e tij. Më herët ai kërcënoi të vriste këdo që do të pasonte Khamenein.

Trump foli edhe për mundësinë e dërgimit të trupave amerikane në Iran, duke thënë se nuk kanë marrë asnjë vendim lidhur me këtë. “As nuk i jemi afruar ndonjë mundësie të tillë”, tha shefi i Shtëpisë së Bardhë.

Sipas informacioneve, java e parë e fushatës amerikane kundër Iranit kushtoi afërsisht 6 miliardë dollarë, 4 miliardë dollarë nga të cilat u shpenzuan për municione dhe për të neutralizuar kërcënimet raketore iraniane, thanë zyrtarët e Pentagonit para Kongresit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos