Në administratën amerikane ka optimizëm lidhur me bisedimet e fundjavës me Iranin, në Pakistan. Zëvendëspresidenti J. D. Vance, teksa po nisej për në Islamabad, ku do të kryesojë delegacionin amerikan, tha se pret një rezultat pozitiv. Megjithatë, ai paralajmëroi Iranin të mos luajë me Shtetet e Bashkuara, shkruan A2CNN.
“Ne po i presim me padurim negociatat. Mendoj se do të jenë pozitive. Sigurisht, do të shohim nëse iranianët janë të gatshëm të negociojnë me mirëbesim, dhe padyshim ne jemi të gatshëm të zgjasim dorën e bashkëpunimit. Nëse ata përpiqen të na mashtrojnë, atëherë do të kuptojnë se ekipi negociator nuk do të jetë aq i hapur ndaj kësaj.”
Por Irani ngriti dyshime të reja mbi fatin e negociatave të planifikuara për të shtunën, teksa vendosi kushte të qarta për mbajtjen e tyre. Kryetari i parlamentit, Mohammad Baqer Qalibaf, që pritet të kryesojë delegacionin e Teheranit, kërkoi të premten që asetet e bllokuara iraniane të lirohen dhe që një armëpushim në Liban të arrihet para se të nisin bisedimet në Pakistan.
Sipas tij, dy masat ishin dakordësuar më herët me SHBA. “Negociatat nuk do të nisin deri në përmbushjen e tyre”, paralajmëroi zyrtari iranian.
Teherani nuk ka mundur të sigurojë dhjetëra miliarda dollarë asete në banka të huaja, që burojnë kryesisht nga eksportet e naftës dhe gazit, për shkak të sanksioneve të Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj sektorëve bankarë dhe energjetikë.
Në një postim të fundit në rrjetet sociale, presidenti Donald Trump shkroi se botën e priste riformatimi më i fuqishëm deri më tani, duke iu referuar me gjasë bisedimeve në Pakistan.
Më herët, kreu i Shtëpisë së Bardhë sulmoi Iranin se po bënte një punë shumë të keqe në lejimin e kalimit të naftës përmes Ngushticës së Hormuzit. Ai gjithashtu paralajmëroi Teheranin që të mos përpiqet të vendosë tarifa për anijet që kalojnë aty, duke thënë se kjo nuk është marrëveshja që kanë.
Po ashtu, Izraeli këmbëngul se fushata paralele ushtarake kundër grupit militant Hezbollah në Liban nuk është pjesë e armëpushimit. Tel Avivi vijoi sulmet në Libanin jugor të premten, me dhjetëra të vrarë në disa qyteza. 8 pjesëtarë të forcave të sigurisë libaneze u vranë në një prej sulmeve. (A2 Televizion)