
Një ligjvënës iranian ka deklaruar se mbështetja e Ukrainës me dronë për Izraelin e bën vendin një objektiv legjitim për Iranin, duke rritur tensionet mes Teheranit dhe Kievit.
Kreu i Komitetit të Sigurisë Kombëtare dhe Politikës së Jashtme në parlamentin iranian, Ebrahim Azizi, shkroi në rrjetin social X se, duke ofruar ndihmë me dronë për Izraelin, Ukraina është përfshirë efektivisht në luftë, duke shtuar se i gjithë territori ukrainas mund të konsiderohet tashmë një objektiv për Iranin.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy deklaroi javën e kaluar se 11 vende kanë kërkuar ndihmën e Kievit për t’u mbrojtur nga dronët e tipit Shahed, në mes të konfliktit me Iranin dhe sulmeve të vazhdueshme të Teheranit ndaj shteteve të Gjirit.
Zelenskyy theksoi se Ukraina është e gatshme të ndihmojë vendet partnere për t’u përballur me këto kërcënime ajrore, por vetëm ato që ndihmojnë gjithashtu Ukrainën në mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe të pavarësisë së saj.
Ai bëri të ditur se disa kërkesa janë përmbushur tashmë me vendime konkrete dhe mbështetje specifike. Sipas tij, Ukraina ka dërguar dronë interceptues dhe specialistë për të ndihmuar në mbrojtjen e bazave ushtarake amerikane në Jordan.
Që nga fillimi i pushtimit rus në vitin 2022, Ukraina ka ndërtuar një sistem të avancuar dhe shumë-shtresor të mbrojtjes ajrore kundër dronëve, i cili përfshin grupe mobile zjarri, pajisje të luftës elektronike dhe dronë interceptues të zhvilluar në vend. (A2 Televizion)