"Irani nuk do të ketë armë bërthamore ose raketa", Trump: Një aeroplanmbajtëse e dytë amerikane, gati për në Lindjen e Mesme

Nga A2 CNN
11 Shkurt 2026, 08:06 | Bota

"Irani nuk do të ketë armë bërthamore ose raketa",

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Irani nuk do të lejohet të ketë armë bërthamore apo raketa balistike, ndërsa paralajmëroi se SHBA po shqyrton dërgimin e një aeroplanmbajtëseje të dytë në Lindjen e Mesme. Në intervistat për Fox News dhe Channel 12, Trump tha se Uashingtoni mund të arrijë një “marrëveshje shumë të mirë” me Teheranin, por pa bërë kompromis për çështjen bërthamore dhe raketat.

“Kemi një flotë që shkon atje dhe një tjetër mund të jetë rrugës. Ose do të bëjmë marrëveshje, ose do të bëjmë diçka shumë të ashpër si herën e fundit”, u shpreh ai, duke iu referuar sulmeve të mëparshme ndaj impianteve bërthamore iraniane, shkruan A2 CNN.

Nga ana tjetër, Teherani reagoi me tone të ashpra. Sekretari i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare, Ali Larijani, theksoi se Irani ka negociuar me SHBA-në vetëm për dosjen bërthamore dhe jo për çështje ushtarake. Sipas tij, nëse shqetësimi amerikan lidhet vetëm me armën bërthamore, çështja mund të zgjidhet, por zgjerimi i temave do ta vështirësonte procesin.

"Sipas mendimit tim, çështja është e zgjidhshme . Nëse shqetësimi i amerikanëve është që Irani të mos lëvizë drejt blerjes së një arme bërthamore, çështja mund të adresohet. Por nëse çështje përtej kësaj futen në negociata, procesi mund të hasë vështirësi. Çështjet ushtarake nuk kanë të bëjnë fare me çështjen bërthamore", deklaroi ai, përcjell A2 CNN.

Më 6 shkurt në Oman u zhvillua takimi i parë i drejtpërdrejtë mes delegacioneve të dy vendeve pas muajsh tensioni. Trump e cilësoi pozitiv, ndërsa ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi përsëriti se Irani nuk do të heqë dorë nga e drejta për pasurimin e uraniumit.

Ndërkohë sot, më 11 shkurt Trump pritet të takojë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, i cili sipas burimeve do të paraqesë informacione të reja mbi kapacitetet ushtarake iraniane. Izraeli druhet se një marrëveshje e mundshme mund të jetë tepër e butë ndaj Teheranit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos