Turqia siguron 20 avionë Eurofighter, por synon edhe F-35 nga SHBA. A do të heqë Trump sanksionet ndaj Ankarasë?

Nga A2 CNN
19 Nëntor 2026, 20:16 | Bota

Turqia siguron 20 avionë Eurofighter, por synon edhe F-35 nga SHBA. A do
Turqia po vijon procedurat për blerjen e 20 avionëve luftarakë Eurofighter Typhoon, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar me Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa paralelisht po përpiqet të sigurojë dorëzimin e avionëve F-35 nga Shtetet e Bashkuara. Kështu deklaroi të enjten ministri turk i Mbrojtjes, Yasar Guler.

Guler bëri të ditur se marrëveshja për avionët Eurofighter përfshin jo vetëm mjetet ajrore, por edhe pajisjet shoqëruese dhe municionet. Ndërkohë, është nënshkruar një kontratë e veçantë për mbështetjen teknike dhe shërbimet logjistike.

Ai shtoi se pilotët turq kanë nisur trajnimin në Mbretërinë e Bashkuar që prej gushtit të kaluar.
Sa i përket programit F-35, Guler tha se negociatat me Uashingtonin vijojnë për dorëzimin e gjashtë avionëve të prodhuar fillimisht për Turqinë.

“Kontaktet tona me autoritetet amerikane lidhur me dorëzimin e gjashtë avionëve luftarakë F-35, të cilët janë prodhuar për vendin tonë, po vijojnë”, deklaroi ai.

Turqia u përjashtua nga programi F-35, i udhëhequr nga SHBA-ja, në vitin 2019, pas blerjes së sistemeve ruse të mbrojtjes ajrore S-400. Më pas, në vitin 2020, Uashingtoni vendosi sanksione ndaj Ankarasë në bazë të ligjit CAATSA, që synon kundërshtimin e kundërshtarëve të Amerikës përmes sanksioneve.

Guler përsëriti thirrjen e Turqisë për heqjen e këtyre sanksioneve, duke i cilësuar ato si të papajtueshme me frymën e aleancës së NATO-s mes dy vendeve. Ai kërkoi gjithashtu eliminimin e kufizimeve të drejtpërdrejta dhe të tërthorta ndaj industrisë turke të mbrojtjes.

“Presim një rezultat pozitiv në këtë proces, në përputhje me marrëdhëniet tona si aleatë dhe interesat e përbashkëta”, u shpreh ai.

Çështja ka marrë sërish vëmendje përpara samitit të NATO-s në Ankara, që do të mbahet në korrik, pasi presidenti amerikan Donald Trump la të kuptohet se mund të heqë sanksionet dhe të marrë një vendim për shitjen e mundshme të avionëve luftarakë F-35 Turqisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos