Besart Xhaferri largohet nga drejtimi i FRPD-së

Nga A2 CNN
19 Nëntor 2026, 19:40 | Politikë

Besart Xhaferri largohet nga drejtimi i FRPD-së

Besart Xhaferri ka njoftuar përfundimin e detyrës së tij si kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike (FRPD). Pas largimit të tij, drejtimi tranzicional i forumit do t’i kalojë Sekretarit të Përgjithshëm, Fatjon Bathorja, i cili do të drejtojë procesin e ripërtëritjes së strukturave rinore të PD-së.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Xhaferri bëri të ditur se grupi i punës i ngritur nga FRPD, nën drejtimin e Bathorjas, do të marrë përsipër organizimin e procesit në të gjithë Shqipërinë.

"Një kapitull mbyllet, por rrugëtimi dhe beteja jonë vazhdojnë! Sot, Forumi Rinor i Partisë Demokratike nis një etapë të re të organizimit dhe ripërtëritjes së tij! Grupi i punës i ngritur nga FRPD, nën drejtimin e Sekretarit të Përgjithshëm, Fatjon Bathorja, merr përsipër organizimin dhe drejtimin e procesit të ripërtëritjes së të gjitha strukturave të Forumit Rinor në mbarë Shqipërinë, nga degët lokale te zgjedhja e Kryetarit Kombëtar, Këshillit Kombëtar, Kryesisë dhe departamenteve. Nga dita e sotme, përfundon edhe detyra ime si Kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, ndërsa drejtimi tranzicional i kalon Sekretarit të Përgjithshëm, Fatjon Bathorja", shkruan Xhaferri në rrjetet sociale. 

“Sot largohem nga drejtimi i FRPD-së, por jo nga kjo familje, jo nga miqtë e mi dhe aq më pak nga beteja jonë e përbashkët. Do të jem gjithmonë në krah të tyre, ashtu siç ata kanë qenë në krahun tim.Detyrat ndryshojnë, përgjegjësitë ndryshojnë, por idealet dhe miqësitë e vërteta mbeten përgjithmonë! Sfidat që kemi përpara janë të mëdha. Por janë sfida që nuk kemi luksin t'i humbasim. Sepse nuk bëhet fjalë thjesht për fatin e një partie apo të një brezi politikanësh. Bëhet fjalë për të ardhmen e Shqipërisë, për lirinë, demokracinë dhe ëndrrën europiane për të cilën të parët tanë dhanë rininë, sakrificat dhe jetën e tyre!”, vijon ai. 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos