Ndërtesa të shumta janë dëmtuar rëndë në Tel Aviv pasi janë goditur nga një raketë iraniane, kanë deklaruar shërbimet e emergjencës. Ky ishte sulmi i parë i Iranit ndaj Izraelit pasi Shtetet e Bashkuara goditën bazat bërthamore iraniane, shkruan A2 CNN.
“Kjo është një zonë e prekur rëndë. Disa ndërtesa banimi dykatëshe janë dëmtuar rëndë, dhe disa janë shembur”, tha agjencia e shërbimeve të emergjencës Magen David Adom (MDA).
Pamjet e publikuara nga shërbimet e emergjencës tregojnë pjesë të një ndërtese në gërmadha dhe dëme të mëdha në ndërtesat përreth. Një numër i madh i ekipeve të emergjencës ndodhen në vendngjarje.
Policia izraelite tha se oficerët dhe njësitë e çminimit ndodheshin në vendin ku ka rënë municioni në Izraelin qendror. Një zyrtar i qytetit në Haifa, në veri të vendit, gjithashtu konfirmoi një goditje në atë qytet.
Shërbimet e emergjencës izraelite kishin thënë më herët se po shkonin në të paktën 10 vendndodhje pas valës së fundit të sulmeve me raketa iraniane. “Forcat e Kërkim-Shpëtimit janë duke vepruar në disa vende në të gjithë vendin, ku janë marrë raporte për raketa të rëna”, tha IDF.
Njëmbëdhjetë persona janë plagosur nga sulmet, sipas MDA. (A2 Televizion)