Videoja virale e kryeministrit Edi Rama, ku shfaqej krah presidentit francez Emmanuel Macron duke ironizuar Donald Trump për deklaratën e tij që thoshte se i dha fund luftës mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit, ka vijuar të komentohet nga mediat botërore.
Media shtetërore ruse, Russia Today, pas një postimi në rrjetin social ‘X’, ka vijuar me një artikull të gjatë ku e quan veprimin e Ramës, sulm të ashpër ndaj Trump.
Po ashtu, media ruse thekson se jo vetëm Trump, por disa Presidentë të Shteteve të Bashkuara kanë bërë gafa të këtij lloji, shkruan A2 CNN.
PM of Albania having a good laugh with President of Azerbaijan and Macron about Trump repeatedly claiming that he ended the war between their two countries which were not at war with each other. pic.twitter.com/5lP6XTps2J
— Ron Filipkowski (@RonFilipkowski) October 2, 2025
Artikulli i Rusia Today:
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka sulmuar ashpër Presidentin e SHBA-së Donald Trump, pasi ky i fundit pretendoi se e kishte zgjidhur konfliktin midis Shqipërisë dhe Azerbajxhanit, duke e ngatërruar vendin ballkanik me Armeninë në Kaukazin e Jugut.
Pamjet e shpërndara në mediat sociale tregojnë Ramën duke iu afruar Presidentit francez Emmanuel Macron dhe Presidentit të Azerbajxhanit Ilham Aliyev me një vërejtje ironike në një samit në Danimarkë të enjten.
“Duhet të na kërkosh falje sepse nuk na përgëzove për marrëveshjen e paqes që Presidenti Trump bëri midis Shqipërisë dhe Azerbajxhanit”, dëgjohet t’i thotë Rama Macronit.
“Më vjen keq për këtë”, dëgjohet të përgjigjet Macron, ndërsa të tre udhëheqësit qeshin.
Batuta i referohej vizitës shtetërore të Trump në Mbretërinë e Bashkuar dy javë më parë, ku ai përmendi “zgjidhjen e konfliktit Aber-baijanit dhe Shqipërisë” si një shembull të historisë së tij të paqes, duke e shqiptuar gabim Azerbajxhanin, ndërsa e ngatërronte Shqipërinë me Armeninë.
Armenia dhe Azerbajxhani, të dyja ish-republika sovjetike, ishin të përfshira në konflikt për dekada të tëra mbi rajonin e Nagorno-Karabakut, përpara se Azerbajxhani ta rimerrte atë në vitin 2023. Në gusht, udhëheqësit e të dy vendeve nënshkruan një deklaratë paqeje të ndërmjetësuar nga SHBA-të, duke hequr dorë nga pretendimet territoriale dhe duke u zotuar të përmbahen nga përdorimi i forcës, megjithëse marrëveshja ende nuk ka hyrë në fuqi. Franca u ka kërkuar të dyja palëve të finalizojnë traktatin, me Macronin që e quan marrëveshjen jetike për sigurinë evropiane.
Gabimi i fundit i Trumpit iu shtua një historie të gjatë gabimesh gjeografike. Ai e ka quajtur Belgjikën një “qytet të bukur”, ka shpikur vendin e “Nambisë” në një drekë të OKB-së, ka ngatërruar vendet Baltike me Ballkanin dhe dikur ka lavdëruar “Princin e Balenave”. Edhe presidentë të tjerë amerikanë kanë ngecur – George W. Bush e vlerësoi në mënyrë të famshme udhëheqësin e Australisë për dërgimin e “trupave austriake” në Irak, ndërsa Joe Biden e ngatërroi Sirinë me Libinë dhe Kolumbinë me Venezuelën. (A2 Televizion)