
Kanë nisur tensionet para Ministrisë së Arsimit. Situata është përshkallëzuar në tensione dhe përplasje fizike mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Protestuesit kanë shkulur kangjellat anës rrugës dhe i kanë vendosur në mes të saj, duke krijuar një lloj gardhi përballë efektivëve të policisë, duke tentuar të bllokojnë lëvizjen e forcave të rendit.
Protestuesit mblodhën koshat e plehrave para godinës së Ministrisë së Arsimit dhe i vunë flakën në mes të rrugës.
Për të neutralizuar situatën dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës, forcat e policisë kanë ndërhyrë duke hedhur ujë me presion drejt turmës me qëllim shpërndarjen e saj.

Pas ndërhyrjes me autobotin e ujit, protestuesit janë zmbrapsur dhe janë larguar pjesërisht nga zona para ministrisë, ndërsa forcat e rendit kanë marrë kontrollin e perimetrit të sigurisë.
Protesta nisi me disa përplasje verbale me efektivët, pasi protestuesit kërkuan llogari për një episod të regjistruar gjatë ditës së djeshme, kur një efektiv shtyu me forcë një 21-vjeçar, i cili ka pësuar krisje të shtyllës kurrizore dhe ndodhet në spital.
Mes tymit dhe flakëve, të rinjtë kanë vijuar thirrjet kundër klasës politike, duke brohoritur: “Rama n’burg, Berisha n’burg”.
(A2 Televizion)