Italia në alarm pas kërcënimeve me bomba në 6 mijë shkolla, Meloni mbledh liderët e opozitës

Nga A2 CNN
12 Nëntor 2026, 09:15 | Bota

Italia në alarm pas kërcënimeve me bomba në 6 mijë

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka thirrur në një takim në Palazzo Chigi liderët e opozitës, pas alarmit të krijuar nga email-et anonime me kërcënime për bomba në rreth 6 mijë shkolla në Itali.

Takimi synon shkëmbimin e informacioneve dhe koordinimin e masave për përballimin e situatës, e cila ka shkaktuar evakuime, kontrolle policore dhe shqetësim te nxënësit, prindërit dhe stafi arsimor.

Përveç kërcënimeve në shkolla, në fokus të diskutimeve do të jenë edhe sulmet kibernetike dhe sinjalizimet e dyshimta për pajisje shpërthyese.

Meloni ka deklaruar se deri tani nuk ka prova për një rrezik konkret, por dyshon se pas këtyre episodeve mund të fshihet një strategji e organizuar për të përhapur frikë dhe kaos në vend.

Ngjarjet kanë rikthyer debatin për të ashtuquajturën luftë hibride, ku sulmet kibernetike, dezinformimi dhe alarmet e rreme mund të përdoren për të destabilizuar institucionet dhe për të krijuar pasiguri te qytetarët.

Ndërkohë, pas kontrolleve të policisë, mësimi në shkollat italiane pritet të zhvillohet normalisht. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos