
Esmeralda Hasani është drejtuesja e re e Shërbimit Informativ Shtetëror. Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar këtë të enjte emërimin e saj në krye të këtij institucioni, pas propozimit të Kryeministrit Edi Rama.
“Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, në mbështetje të neneve 92, shkronja “f” dhe 93 të Kushtetutës, si dhe të nenit 5, të ligjit nr. 8391, datë 28.10.1998, “Për Shërbimin Informativ të Shtetit”, i ndryshuar””, me propozim të Kryeministrit, me dekret nr. 595, datë 12.11.2026, dekretoi sot emërimin e zonjës Esmeralda Hasani në detyrën e Drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit.
Përpara dekretimit, janë kryer të gjitha procedurat ligjore të verifikimit si të parashikuara në ligj për rastet e emërimit në detyrë të zyrtarëve në poste të larta”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Hasani pason në detyrë Vlora Hysenin, e cila u shkarkua pasi ndaj saj u caktua masa e sigurisë “arrest shtëpie”. Hyseni akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për korrupsion, pastrim parash, përkrahje të autorit të veprave penale dhe nxjerre të sekretit hetimor. (A2 Televizion)