Shqipëri-Finlandë, Policia del me plan masash, ja rrugët e kryeqytetit që bllokohen

Nga A2 CNN
12 Nëntor 2026, 09:21 | Aktualitet

Shqipëri-Finlandë, Policia del me plan masash, ja rrugët e

Policia e Shtetit ka dalë me një plan masash për garantimin e rendit dhe sigurisë, gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit Shqipëri-Finlandë, që do të luhet sot në orën 20:45, në stadiumin “Air Albania”.

“Blutë” bëjnë me dije se do të bllokohet qarkullimi i mjeteve në disa rrugë të Tiranës, në afërsi të stadiumit, nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes.

"Punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontrolle të imtësishme ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium të banderolave me përmbajtje raciste, fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve dhe produkteve për përdorim kozmetik, si dhe sendeve të tjera të forta, të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve", thuhet në njoftim. 

Rrugët që do të jenë të bllokuara nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes:

-Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga fast food-i “Laguna”, pranë urës së ish-Hotel Dajtit;

-Rruga “Papa Gjon Pali II”, te kryqëzimi i RTSH-së;

-Rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së;

-Rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së;

-Rruga “Themistokli Gërmenji”, në hyrje;

-Rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i RTSH-së;

-Rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës (korridor hyrjeje për në parkimin e caktuar, vetëm për mjetet e autorizuara nga FSHF-ja);

-Rruga “Abdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar;

-Te sheshi “Willson”, pak para përfundimit të ndeshjes, lëvizja do të devijohet në drejtim të rrugës “Sami Frashëri”.

Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të jenë të lira për lëvizjen e mjeteve.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos