Izraeli dhe Hamas përballë zgjedhjeve të vështira, ngec plani i paqes

Nga Rosalba Bejdo
12 Dhjetor 2025, 23:25 | Bota

Dy muaj pas armëpushimit të imponuar nga Shtetet e Bashkuara, Gaza ka ngecur në fazën e parë të planit të paqes së Presidentit amerikan Donald Trump; me territorin e vendit që është ndarë mes palëve rivale dhe qytetarët që vazhdojnë të jenë të shpërngulur në mes të rrënojave.

Reshjet e dendura kanë përmbytur kampet dhe kanë çuar në shembjen e disa godinave, teksa stuhi të forta dimërore kanë përfshirë Rripin. Më shumë se 800 mijë banorë janë në rrezik nga përmbytjet, sipas OKB. Planet për shtëpi të reja dhe një qeveri të përkohshme kanë mbetur pezull, teksa kërkimet vazhdojnë për pengun e fundit ende të pakthyer, Ran Gvili.  

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu këmbëngul se Hamasi duhet të kthejë të gjithë pengjet, të vdekur e të gjallë, para se palët të kalojnë në fazën e re dhe më të vëshirë të planit të paqes, shkruan A2.

Por, kërkimet në rrënoja deri më tani nuk kanë treguar asnjë shenjë të efektivit të ri policor, i rrëmbyer në 7 tetor. Prindërit e Gvilit, të cilëve u është thënë se i biri nuk ka mbijetuar, akuzojnë Hamasin se po e fsheh djalin e tyre. Por, grupi militant këmbëngul se pretendimet janë të pavërteta dhe se Izraeli po përpiqej të shmangte implementimin e ujdisë.  

Shumë në Izrael besojnë se do të ishte politikisht shumë e vështirë për Netanjahun të ndërmerrte hapat e radhës që parashikon ujdia e ndërmjetësuar nga Trump, përfshirë tërheqjen e mëtejshme të forcave izraelite, ndërsa një peng mbetet i pakthyer.

Por, edhe Hamas duhej të bëjë lëshime të vështira në fazën e re, si dorëzimi i pushtetit dhe armëve. Izraeli nga ana tjetër duhet t’ia dorëzojë sigurinë forcës stabilizuese ndërkombëtare.

Çarmatosja e Hamasit shihet si pengesa e parë e vështirë. Pa këtë, asnjë fuqi e huaj nuk do të angazhohej për të garantuar sigurinë e Rripit dhe procesi i rindërtimit nuk do të fillonte dot në zonat e kontrolluara nga Hamas.

Më herët gjatë javës, Netanjahu sugjeroi se ishte skeptik që shtetet e huaja mund ta merrnin përsipër detyrën në vend të Izraelit. Çështjet kryesore, përfshirë mënyrën e çarmatosjes së Hamasit, do të diskutohen në një takim midis Netanyahut dhe Trump në Florida më vonë këtë muaj.

Presidenti amerikan ka qenë i hapur në lidhje me dëshirën e tij për të çuar përpara procesin. Ai u tha gazetarëve këtë javë se do të njoftonte anëtarësimin në një Bord të Paqes të sapokrijuar për Gazën në fillim të vitit të ardhshëm.

"Do të jetë një nga bordet më legjendare ndonjëherë... Të gjithë duan të jenë pjesë e tij", tha ai.

Ka gjithashtu raportime se nën presion nga Uashingtoni, Izraeli po punon për pastrimin e rrënojave, në përgatitje për një projekt të ri strehimi në zonën e kontrolluar nga Izraelit të Rafah, në jug të territorit. Projekti mund të sigurojë strehim për dhjetëra mijëra banorë të Gazës, por me kushtin që ata të kalojnë në zonat e kontrolluara nga Izraeli dhe t’u nënshtrohen kontrolleve për lidhje me Hamasin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos