Protesta kundër Territoriales, Berisha: Pjesëmarrja të jetë masive, vetëm me revoltë rrëzohet Rama

Nga Anesti Barjamemaj
7 Tetor 2026, 18:45 | Politikë

Një ditë para seancës së Kuvendit ku pritet të votohet drafti socialist që parashikon tkurrjen e numrit të bashkive, Sali Berisha ka përsëritur thirrjen për qytetarë.

“Qytetarët nga mbarë Shqipëria, pavarësisht nga bindjet e tyre politike, do bashkohen në një protestë për të mbrojtur interesat qytetare, sepse kundërshtimin për asgjësimin e bashkive e kanë dëshmuar në shumicën e rasteve qytetarët e të gjitha bindjeve politike”, tha Berisha.

Në mbledhjen e grupit parlamentar, Berisha tha se Edi Rama reformën territoriale e bën për interesin e tij, ndaj kërkoi që pjesëmarrja të jetë masive.

“Edi Rama po bën gjithçka të mbahet me çdo kusht në pushtet. Në këtë rast unë ftoj qytetarët nga mbarë Shqipëria të protestojnë për atë parlament që nuk meriton të ekzistojë”, u shpreh kreu i PD.

Sipas liderit të opozitës revolta është mënyra e vetme për të larguar Ramën nga pushteti.

“Barometri i urrejtjes popullore ndaj parlamentit dhe Edi Ramës po arrin në nivelet më të larta dhe natyrisht është revolta dhe vetëm revolta ajo që mund të shpëtojë shqiptarët nga narkoshteti i Edi Ramës”, tha Berisha.

Berisha e cilësoi kreun e qeverisë si avokat të zyrtarëve që bien në rrjetën e SPAK.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos