
Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme dhe ka dërguar për gjykim dosjen penale ndaj katër personave të akuzuar për rrëmbimin, dhunimin dhe vrasjen e Renis Dobrës.
Në gjykim do të përballen Fation Bushgjokaj, Petrit Hoxha, i njohur edhe si Çakraj, Kristë Bushgjokaj dhe Aleksandër Bushgjokaj.
Sipas njoftimit të SPAK, të katër të pandehurit akuzohen për veprat penale “Rrëmbim ose mbajtje peng e personit”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.
Procedimi penal lidhet me ngjarjen e 8 korrikut 2025. Sipas rezultateve të hetimit, katër të pandehurit kanë vepruar në mënyrë të koordinuar me qëllim rrëmbimin dhe mbajtjen peng të shtetasit R.D.
Hetimi është bazuar në pamjet e kamerave të sigurisë, të dhënat GPS të automjeteve të marra me qira, tabulatet telefonike dhe prova të tjera të administruara gjatë hetimit.
Sipas SPAK, autorët kanë ndjekur viktimën në aksin Burrel–Klos–Zenisht. Pranë vendit të quajtur “Ura e Matit”, R.D. është pikasur duke udhëtuar me automjetin e tij tip “Benz” dhe është ndjekur nga një automjet “Hyundai Santa Fe”, në të cilin ndodheshin Petrit Hoxha dhe Kristë Bushgjokaj.
Këta dy persona, sipas hetimit, kanë sinjalizuar Fation dhe Aleksandër Bushgjokajn, të cilët ndodheshin në një automjet tjetër tip “Range Rover”.
Ndjekja ka vijuar deri në vendin e quajtur “Kroi i Suçit”, ku rreth orës 21:58, automjeti “Range Rover” i ka bllokuar rrugën viktimës. Sipas hetuesve, R.D. është nxjerrë me forcë nga automjeti i tij dhe është futur në “Range Rover”.
Më pas, të tre automjetet kanë vijuar lëvizjen në drejtim të Ulzës dhe Shkopetit. Sipas SPAK, gjatë kësaj kohe R.D. është dhunuar dhe më pas i është shkaktuar vdekja. Këto të dhëna, sipas prokurorisë, mbështeten edhe në aktin e ekspertimit mjeko-ligjor.
Pas ngjarjes, automjeti i viktimës, së bashku me trupin e tij, është hedhur në ujërat e liqenit të Ulzës, me qëllim fshehjen dhe zhdukjen e provave. (A2 Televizion)