Ushtria izraelite tha se do të hapë një rrugë të re të përkohshme më 17 shtator, për t’iu mundësuar banorëve që të largohen nga Qyteti i Gazës, një ditë pasi nisi një ofensivë të madhe që synon shkatërrimin e Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Ushtria izraelite nisi bombardime masive në Qytetin e Gazës mëngjesin e së martës dhe çoi trupat më thellë brenda qendrës më të madhe urbane në Rripin e Gazës.
Ofensiva vjen pasi një hetim i kryer nga Kombet e Bashkuara e akuzoi Izraelin për kryerje “të gjenocidit” në territorin palestinez, duke thënë se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe zyrtarë të tjerë të lartë kanë nxitur këtë krim.
Të mërkurën, ushtria izraelite tha se po hap “një rrugë të përkohshme transporti përmes rrugës Salah al-Din”.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, koloneli Avichay Adraee, tha se korridori do të mbetet i hapur vetëm për 48 orë duke nisur nga mesnata e së enjtes, sipas kohës lokale.
Deri më tani, ushtria u kishte bërë thirrje banorëve që të largoheshin nga Qyteti i Gazës përmes rrugës buzë detit drejt asaj që e cilëson si “zonë humanitare” më në jug, përfshirë pjesë të Al-Mavasit.
Rruga Salah al-Din kalon përmes Rripit të Gazës nga veriu në jug.
Në gusht, OKB-ja vlerësoi se afër 1 milion banorë jetojnë në Qytetin e Gazës dhe rrethinën e qytetit.
Izraeli tha se ofensiva tokësore e nisur të martën synon që të largojë Hamasin nga një prej bastioneve të tij të fundit në Rripin e Gazës.
Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit më 7 tetor 2023, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë.
Ofensiva hakmarrëse e Izraelit ka vrarë më shumë se 64.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë – shifra që konsiderohen të besueshme nga OKB-ja. REL (A2 Televizion)