“Korrupsioni na ka lënë nëpër rrugët e botës”, aktori shqiptar në Amerikë flet për trazirat në Tiranë

Nga A2 CNN
20 Tetor 2026, 10:43 | Aktualitet

Aktori shqiptar në SHBA, Marko Caka, ka reaguar për protestat dhe situatën e tensionuar në Tiranë. Në një intervistë për Dita Jonë në A2 CNN, Caka u shpreh se qeveria duhet të dëgjojë zërin e popullit dhe të marrë masa për zgjidhjen e problemeve. Sipas tij, protestat janë një mënyrë për të kërkuar ndryshim, ndërsa dhuna dëmton vendin, imazhin e Shqipërisë dhe të ardhmen e saj.

"Të përdoret dhuna është e patolerueshme si nga ana e pushtetit, i cili do të kishte bërë atë që bën çdo lloj çdo qeveri që votohet nga populli dhe populli duhet të dëgjohet edhe sado që të jetë edhe në minorancë. Mendjen e kam tek shqiptarët, tek situata atje dhe solidarizohem me gjithë pakënaqësinë e tyre, jo me dhunën aspak. Janë kundra çdo gjëje që dëmton vendin tim, dëmton imazhin e vendit tim edhe dëmton të ardhmen e vendit tim. Dhuna nuk sjell diçka, por protesta po, protesta sjell një të ardhme më të mirë”, tha ai në Dita Jonë në A2 CNN.

I larguar nga Shqipëria në fillim të viteve ’90, ai tha se korrupsioni nuke ka lënë vendin të ecë përpara.

“Nëse ne korrupsionin e kemi brenda akoma në disa institucione, është e patolerueshme dhe kjo duhet marrë një zgjidhje. Ka 35 vjet ai korrupsion na ka brejtur, na ka lënë në këto rrugët e botës, sepse nuk e lejon domethënë vendin tim që të ecë më përpara”, deklaroi Caka

Duke e cilësuar korrupsionin si një nga problemet kryesore që ushqen pakënaqësinë e qytetarëve, ai tha se qeveria duhet ta luftojë me rrënjë e t’u japë zgjidhje qytetarëve.

“Sa i përket korrupsionit është e patolerueshme, duhet luftuar me deri në rrënjë, sepse ai ja mori jetën shqiptarëve. Pritëm që diçka do të ndryshonte, por të vjen keq që asgjë nuk ka ndryshuar përsa i përket kësaj pike. Duhet që qeveria të vihet në bashkëpunim me palët, me gjithë faktorët, me gjithë atë që e ka çuar deri në atë pikë dhe të diskutojnë dhe të marrin në mënyrë imediate zgjidhjen e problemeve, jo thjesht fjalë. Jam shumë i indinjuar. Them 36 vjet mbrapa. E di që çfarë do të thotë të largohesh nga vendi yt. E di çarë do të thotë të vdesin ëndrrat. E di çfarë do të thotë të lësh mbrapa një mjerim tek ata familjet që s'kanë asnjë gjë për të ndarë me pjesëtarët e familjes. Kjo është ajo që duhet ta shqetësojnë qeverinë”.

Sipas tij, edhe pse sot shqiptarët kanë më shumë liri për të udhëtuar, është shqetësuese që duan të të largohen nga vendi për të ndërtuar të ardhmen. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos