“Urrej të parashikoj gjëra të tilla”. Kjo ishte përgjigja e presidentit amerikan Donald Trump për një gazetar të Fox News, i cili e pyeti gjatë një interviste nëse pret që ekonomia amerikane të kalojë në recesion.
“Vendi po kalon një periudhë tranzicioni", tha manjati republikan, i cili që nga kthimi në Shtëpinë e Bardhë është përfshirë në mosmarrëveshje me partnerët kryesorë tregtarë të vendit të tij - duke nisur me Kanadanë dhe Meksikën.
SHBA vendosi mbi ta 25% detyrime doganore këtë javë përpara se të anulonte shumicën e tyre dhe të shpallte shtyrjen e zbatimit deri në muajin e ardhshëm.
Kur u bë presion nga gazetarët në avionin presidencial dje për të sqaruar nëse ai pret që Amerika të hyjë në recesion, Trump dha një përgjigje “as mish, as peshk”, duke thënë thjesht: "Kush e di?".
Pas kthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë, ekspertët i frikësohen një recesioni në SHBA – teknikisht, ky term do të thotë që GDP-ja do të bjerë për të paktën dy tremujorë radhazi.
“Disa detyrime doganore mund të rriten. Varet... Nuk mendoj se do të ulen, por mund të rriten”, tha Trump më tej në përgjigjen e tij për Fox News.
Por, ky kërcim për ekonominë amerikane ka nervozuar tregjet financiare dhe disa kompani duken të trullosura, sikur nuk dinë terrenin ku po shkelin.
Ekonomistët në bankat kryesore amerikane paralajmëruan të premten se "sa më gjatë të mbeten tarifat, aq më i madh është rreziku i recesionit".
Anëtarët e komisionit të Shoqatës Amerikane të Bankierëve (ABA) janë gjithashtu të shqetësuar për ndikimin që politika ekonomike e Donald Trump do të ketë tek konsumatorët, duke qenë se tarifat sjellin rritje çmimesh.
Megjithatë, nëse baza është “një skenar që parashikon se tarifat e reja doganore nuk do të mbeten në fuqi gjatë gjithë vitit 2025”, rreziku i recesionit është i vogël, sipas këtyre ekspertëve.
Periudha më e fundit kur SHBA përjetoi shkurtimisht një recesion ishte në fillim të vitit 2020, mes krizës së pandemisë koronavirus. Miliona njerëz humbën punën e tyre në atë kohë. (A2 Televizion)