Politologu Ermal Hasimja shikon si të vetmen pengesë për rotacionin politik në vend përçarjen e opozitës, pasi në të kundërt sipas tij janë të gjitha kushtet për ndryshim të qeverisë.
I ftuar në “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Hasimja theksoi domosdoshmërinë që opozita të dalë me një kandidat të përbashkët për Tiranën.
Sipas tij nëse kjo nuk ndodh dhe dilet me 4 kandidatë në zgjedhje, atëherë fiton kundërshtari.
“E vetmja gjë që është jashtë logjikës dhe pengësë për ndryshimin e qeverisjes, është pjesa e përcarjes së opozitës. Nëse në zgjedhjet e ardhshme të Tiranës dilet me 4 kandidatë të opozitës, është e qartë që do fitojë kandidati i bllokut unik, që është në anën tjetër. Vetëm po pati ndonjë surprizë që të dalë edhe andej kandidatë, supozojmë Braçe, apo ndonjë befasi tjetër andej, por s’besoj. Ky është i vetmi problemi. Përtej këtij problemi është dita më e mirë e mundshme për të gjithë ata që të ndryshojë pushteti, që t’ia arrijnë qëllimit. Sepse opozita është në lëvizje e gjitha, protesta ka sjellë një frymë të vetën pozitive, dhe e ka goditur qeverisjen shumë më tepër se sa partitë opozitare”. (A2 Televizion)