“Jetojmë në një botë më të rrezikshme. Kemi një luftë në Europë, një konflikt të ri në Lindjen e Mesme dhe tensionet po rriten në Ballkanin Perëndimor. Terrorizmi brutal vazhdon dhe ndryshimet klimatike po nxisin konflikte.”
Me këtë mesazh aspak optimist, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, përshëndeti për festat e fundvitit të gjithë trupat e aleancës dhe veteranët.
Ai shtoi se nuk mund të ketë siguri pa një mbrojtje të fuqishme. Stoltenberg nënvizoi hapat që janë marrë gjatë këtij viti për përmirësuar dhe fuqizuar gatishmërinë në parandalimin e sulmeve përmes rritjes së shpenzimeve nga ana e vendeve anëtare në sektorin e mbrojtjes.
Në mesazhin e tij, u ndal më së shumti në situatën e brishtë në Kosovë.
“Muajin e kaluar takova trupat e KFOR-it në veri të Kosovës. Ruajtja e një mjedisi të sigurt për të gjithë në Kosovë është çelësi për stabilitet në mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Dëshiroj të zhfrytëzoj këtë mundësi për t’ju falënderuar secilin prej jush, kudo që jeni vendosur. Pa ju, nuk do të kishte NATO, as siguri dhe as liri.”
Ndër të tjera, kreu i NATO-s nënvizoi se fuqizimi i Aleancës ushtarake nuk është për të nxitur një luftë, por për të parandaluar konfliktet dhe ruajtur paqen. (A2 Televizion)