“Ka humbur pëlqimin e Putinit”, mungesa e Lavrov është një mister në Moskë

Nga Erjon Dervishi
7 Nëntor 2025, 11:55 | Bota

Ai nuk udhëhoqi delegacionin rus në samitin e vendeve të Azisë Juglindore tetorin e kaluar, nuk do ta përfaqësojë Moskën në G20 në Afrikën e Jugut këtë muaj dhe ishte i vetmi që mungonte në Këshillin e Sigurimit të mërkurën.

Kjo mjaftoi që disa media ndërkombëtare opozitare dhe kanale në Telegram të shkruanin se Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov kishte "rënë nga hiri": thuhet se ai po fajësohet për shtyrjen e samitit midis Vladimir Putin dhe Donald Trump në Budapest pas telefonatës së tij "të tensionuar" me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio.

I pari që vuri re mungesën e ministrit në Këshillin e Sigurimit më 5 nëntor ishte gazetari i Kommersant, Andrei Kolesnikov, shkruan A2. Ishte gjithashtu një takim "historik", ku Putin kishte udhëzuar zyrtarët e tij të vlerësonin nëse duhej të përgatiteshin për rifillimin e testimeve bërthamore pas 35 vitesh. "Burime të informuara" thuhet se i thanë Kolesnikov se Lavrov "mungon me pëlqim të ndërsjellë". Ky formulim vetëm sa nxiti spekulimet. Gjithashtu sepse, një ditë më parë, Putin kishte emëruar me dekret zëvendësshefin e stafit të administratës presidenciale Maksim Oreshkin për të kryesuar delegacionin rus në G20 më 22 dhe 23 nëntor në Johannesburg.

Më parë, Lavrov gjithmonë e kishte zëvendësuar Putinin sa herë që ai detyrohej të tërhiqej nga ngjarjet ndërkombëtare për shkak të një urdhër-arresti ndërkombëtar për "krime lufte", siç ishte samiti i G20-ës në Bali në vitin 2022 ose samiti i BRICS-it i këtij viti në Brazil. Dhe në fund të tetorit, zëvendëskryeministri Alexei Overchuk udhëhoqi delegacionin rus në samitin e Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN), zakonisht të udhëhequr nga Lavrov.

"Mungesat" e ministrit, filluan pas telefonatës së tij të 21 tetorit me Rubion, e cila supozohej të hidhte themelet për një samit midis dy udhëheqësve në Budapest. Megjithatë, sipas Reuters, Lavrov "priste shumë", duke bërë që Sekretari i Shtetit t'i këshillonte Trump-it të anulonte takimin. Shtyrja e samitit u pasua nga sanksione kundër Rosneft-it dhe Lukoil-it, të parat që kur Trump u kthye në Shtëpinë e Bardhë. Dikush në Kremlin do të kishte përfituar nga situata për të akuzuar ministrin me shërbimin më të gjatë në epokën e Putinit, 21 vjet nga 76 vjet në krye të Ministrisë së Jashtme, për “sabotim”.

Lavrov thuhet se pati "një bisedë serioze" me Putinin dhe tani është "i demoralizuar" sepse "e gjeti veten në qendër të një komploti". "Shumë besojnë se ai po ndjek gjurmët" e ish-ministrit të Mbrojtjes Sergei Shoigu, i cili, pas tërheqjeve nga fronti ukrainas në vjeshtën e vitit 2022 dhe kryengritjes Wagner në vitin 2023, u emërua kreu i Këshillit të Sigurisë në maj 2024. Lavrov, vazhdon Nezygar, "ka humbur favorin e Putinit" dhe "është i detyruar të zbulojë informacione për të provuar pafajësinë e tij", por krimi i tij i vetëm, nëse ka pasur ndonjëherë një të tillë, ishte besimi se "qasja e tij më e ashpër dhe më parimore pasqyronte qëndrimin e Putinit". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos