Juventsi nuk arrin të rikthehet te fitorja, por të paktën shmang humbjen në transfertën ndaj Cagliarit. Bardhezinjtë barazuan 1-1, falë një goli të Kolo Muani, në një ndeshje ku vendasit ishin shumë pranë suksesit.
Cagliari kaloi në avantazh në minutën e 20-të. Daniel Maldini përfitoi nga hapësirat në mbrojtjen juventine dhe dërgoi topin në rrjetë, duke i dhënë skuadrës së tij një epërsi të rëndësishme.
Juventusi reagoi duke kërkuar barazimin, por rastet e krijuara nuk u konkretizuan. Me kalimin e minutave, presioni i skuadrës së Luciano Spallettit u shtua, ndërsa koha punonte në favor të vendasve.
Kur dukej se Cagliari do të merrte tri pikët, erdhi momenti i Kolo Muanit. Francezi realizoi në minutën e 81-të duke rikthyer baraspeshën në fushë.
Por tensionet nuk munguan as pas vërshëllimës përfundimtare. Dy trajnerët u ndëshkuan me kartonë të kuq pas një konfrontimi verbal. Një pikë që e mban Juventusin në garë, por që tregon se skuadra torineze ka ende punë për të bërë nëse synon të jetë mes ekipeve kryesore të Serie A. (A2 Televizion)