“Kandidatët i cakton elita”, Conor McGregor tërhiqet nga gara presidenciale në Irlandë

Nga A2 CNN
15 Shtator 2025, 17:39 | Bota

“Kandidatët i cakton elita”, Conor McGregor tërhiqet nga

Ish-kampioni i arteve marciale mikse, Conor McGregor, është tërhequr nga gara për presidencën e Irlandës, duke e quajtur procesin e nominimit një “këmishë force” që pengon një garë të vërtetë demokratike. “Pas një reflektimi të kujdesshëm dhe konsultimeve me familjen time, po tërhiqem nga kjo garë presidenciale”, shkroi ai në platformën X të hënën në mëngjes, përcjell A2 CNN. “Ky nuk ishte një vendim i lehtë, por është i duhuri në këtë moment”.

Megjithëse presidenca në Irlandë është kryesisht një post simbolik me mandat shtatëvjeçar, McGregor kishte premtuar se do të kufizonte emigracionin për të mbrojtur “kulturën irlandeze” dhe për t’i dhënë pushtetin “përsëri popullit”. Ai shpresonte të përdorte ndikimin e madh në rrjetet sociale (ka mbi 10 milionë ndjekës në X) si dhe mbështetjen e Elon Musk dhe përkrahjen e tërthortë të Donald Trump për të hyrë në fletën e votimit për zgjedhjet e 24 tetorit.

Sidoqoftë, McGregor u përball me vështirësi për të siguruar nominimin, pasi kandidatura kërkon mbështetjen e të paktën 20 anëtarëve të Parlamentit ose katër autoriteteve vendore. Ai akuzoi se procesi ishte “i manipuluar” në favor të kandidatëve të vendosur nga elitat.

37-vjeçari kishte planifikuar të fliste këtë javë në disa këshilla vendore, por analistët e konsideronin minimal shansin e tij për të marrë mbështetje zyrtare. McGregor tha se fushata e tij, megjithëse e shkurtër, nxori në pah padrejtësitë në rregullat kushtetuese për kandidimin. “Ky deficit demokratik kundër vullnetit të popullit irlandez tani është bërë i dukshëm falë interesit tim publik”, deklaroi ai.

Zëvendëskryeministri dhe lideri i Fine Gael, Simon Harris, e kishte kritikuar javën e kaluar, duke thënë se McGregor “përfaqëson më të keqen e shoqërisë sonë”. Anketat e fundit tregonin mbështetje të ulët popullore për ish-sportistin, vetëm 7% në një sondazh, si dhe mungesë interesi nga ligjvënësit dhe autoritetet vendore.

Megjithatë, McGregor e përshkroi fushatën e tij si një “katalizator” për një mobilizim kundër elitave dhe mediave tradicionale. “Ka tani një lëvizje të dukshme e të zëshme patriotësh irlandezë që kërkojnë të ruajnë mënyrën tonë të jetesës si irlandezë – i përshëndes ata. Rryma ka ndryshuar dhe ky valë nuk mund të ndalet!” deklaroi ai.

McGregor mbetet një figurë polarizuese në Irlandë; në korrik ai humbi një apel mbi një vendim civil që i dha dëmshpërblim një gruaje që e kishte akuzuar për përdhunim.

Ndër personazhet e njohura që gjithashtu shprehën interes për presidencën, por më pas u tërhoqën, ishin balerini Michael Flatley dhe muzikanti e aktivisti Bob Geldof.

Aktualisht janë tre kandidatë zyrtarë në garë: Heather Humphreys, ish-ministre e qeverisë dhe përfaqësuese e Fine Gael; Jim Gavin, ish-trajner i ekipit të futbollit gal të Dublinit, i mbështetur nga Fianna Fáil; dhe Catherine Connolly, deputete e pavarur e përkrahur nga parti të vogla të majta si Social Demokratët, Laburistët dhe People Before Profit. Partia kryesore e opozitës, Sinn Féin, ende nuk ka vendosur nëse do të paraqesë kandidatin e saj ose do të mbështesë Connolly.

Një sondazh i fundjavës e renditi Humphreys në vendin e parë me 22% mbështetje, Gavin të dytin me 18% dhe Connolly në vendin e tretë me 17%. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos