
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u është drejtuar shqiptarëve me një videomesazh, në të cilin ka bërë thirrje për mbështetjen e studentëve dhe të rinjve që prej ditësh protestojnë kundër qeverisë.
Berisha akuzoi kryeministrin Rama për përdorim të dhunës policore ndaj protestuesve, duke theksuar se mbi 2 mijë të rinj, gjimnazistë, studentë dhe të mitur janë dhunuar, ndaluar ose arrestuar gjatë protestave.
Lideri opozitar e cilësoi situatën si një rikthim të “terrorit të kuq” dhe deklaroi se protesta e pedagogëve dhe profesorëve në mbështetje të studentëve ka rrëzuar strategjinë e qeverisë për t’i frikësuar protestuesit.
Në mesazhin e tij, Berisha u bëri thirrje qytetarëve të të gjitha bindjeve politike që të kapërcejnë frikën dhe t’u bashkohen të rinjve në protestë. Sipas tij, studentët po luftojnë jo vetëm për të ardhmen e tyre, por edhe për të ardhmen e Shqipërisë.
“Studentët, gjimnazistët, të rinjtë janë ngritur si feniksi nga hiri. Ata po e bëjnë detyrën e tyre. Tani është radha juaj”, deklaroi Berisha.
Në përfundim të videomesazhit, kreu i opozitës ftoi qytetarët që të bashkohen me studentët nesër, në orën 10:00, përpara universitetit, duke e mbyllur mesazhin me thirrjen: “Të gjithë me të rinjtë, të gjithë tek ata nesër në orën 10:00 para universitetit, gjer në fitore”. (A2 Televizion)