Kaos në aeroportin e Birminghamit, pas uljes emergjente të një avioni privat

Nga A2 CNN
6 Gusht 2025, 20:35 | Bota

Pasditen e sotme, aeroporti i Birmingham-it është përfshirë nga kaosi dhe vonesat pasi një avion privat u detyrua të bënte një ulje emergjente, duke shkaktuar mbylljen e përkohshme të pistës dhe pezullimin e 93 fluturimeve.

Avioni Beech B200 Super King Air, i ndërtuar në vitin 1981 dhe i regjistruar me numrin G-NIAA, ishte nisur nga Birminghami për në Belfast, por pas vetëm disa minutash fluturim, shpalli emergjencë dhe u kthye për një ulje të detyruar rreth orës 13:58.

Sipas autoriteteve, avioni bëri disa rrotullime në ajër përpara se të ulej me sukses. Në bord ndodheshin tre persona, një prej të cilëve pësoi lëndime të lehta dhe u trajtua në vend nga shërbimi i Ambulancës i West Midlands.

Pas incidentit, pista e aeroportit u mbyll plotësisht deri në orën 18:00, duke ndikuar drejtpërdrejt mbi 48 fluturime nisjeje dhe 45 fluturime mbërritjeje.

Shumë fluturime u devijuan në aeroportet Stansted, Manchester dhe East Midlands, duke shkaktuar pasiguri dhe zemërim tek mijëra pasagjerë.

Në një deklaratë zyrtare, Aeroporti i Birmingham-it tha: “Pas një incidenti me një avion privat, pista është përkohësisht e mbyllur. Kërkojmë ndjesë për shqetësimet. Udhëtarët këshillohen të kontrollojnë statusin e fluturimeve përpara se të vijnë në aeroport.”

Modeli i avionit të përfshirë në incident – Beech B200 Super King Air – është i njëjti me atë që u përfshi në aksidentin fatal në Aeroportin e Southend-it në korrik, ku humbën jetën katër persona. Megjithatë, në këtë rast, nuk pati viktima dhe avioni u ul në mënyrë të sigurt.

Autoritetet e aeroportit dhe hetuesit e aviacionit civil janë duke shqyrtuar arsyet teknike të emergjencës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos