Rikthimi i ish-liderit spearatist të Katalonjës, Carles Puigdemont në Barcelonë ka bërë që autoritetet spanjolle të vihen në lëvizje dhe të organizojnë një operacion për arrestimin e tij.
Operacioni i koduar “Kafazi” për lokalizimin e Puigdemont, i cili u shfaq në Barcelonë mëngjesin e sotëm, ka vijuar për 3 orë e gjysmë por pa rezultat dhe policia katalanase ka vendosur ta ndërpresë pas kaosit të shkaktuar që çoi në bllokim trafiku.
Përleshjet shpërthyen edhe jashtë parkut ku ndodhet parlamenti, pasi mbështetësit e ish-liderit separatist që luftoi për pavarësinë e Katalonjës nga Spanja, u përpoqën të çanin kordonin, duke bërë që policia të kundërpërgjigjej duke goditur me shkopinj gome dhe duke hedhur sprej djegës.
Megjithatë, përpjekjet për gjetjen e Carles Puigdemont vazhdojnë, ndërkohë që të gjitha mjetet janë aktivizuar nga toka, deti dhe është vendosur edhe një helikopter. Njëkohësisht është arrestuar edhe një punonjës policie i cili dyshohet se ka marrë pjesë në arratisjen e tij pas mbërritjes në Barcelonë.
Sipas vlerësimeve, në tubimet e mbajtura në qendër të Barcelonës për mbërritjen e separatistit, ndaj të cilit është lëshuar një urdhër arresti, kanë marrë pjesë 3500 persona.
Puigdemont u shfaq në mëngjes shtatë vjet pas arratisjes së tij duke thënë: "Ne jemi ende këtu sepse nuk kemi të drejtë të japim dorëheqjen".
Carles Puigdemont duket se e dinte se do të arrestohej dhe sipas autoriteteve spanjolle ai kërkon të arrestohet para kamerave, gjë që policia nuk e dëshiron pasi kërkon një arrestim më diskret. Ai kërkon të arrestohet dhe të vendoset në paraburgim, në mënyrë që avokati i tij të bëjë ankim, sepse edhe ai është i favorizuar nga ligji i amnistisë dhe për këtë arsye pret që burgosja e tij të shpallet e paligjshme. (A2 Televizion)