Forcat e sigurisë në Meksikë raportuan të martën se kanë arrestuar dy persona dhe kanë realizuar një konfiskim historik prej më shumë se një ton fentanil në shtetin Sinaloa, i njohur për dhunën e lidhur me kartelin me të njëjtin emër, të themeluar nga El Chapo Guzman.
Presidentja meksikane, Claudia Sheinbaum, gjatë një konference për shtyp të mërkurën tha se kjo ishte sasia më e madhe e kësaj droge e kapur në historinë e vendit, duke theksuar se vlera arrin në 394 milionë dollarë, shkruan A2 CNN.
“Kjo është sasia e pilulave të fentanilit më e madhe që kemi kapur ndonjëherë”, tha presidentja në një konferencë për mediat. “Përgjatë një viti një person i varur nga kjo drogë konsumon një sasi të barasvlershme me një pako të vogël sheqeri. Kjo është madhësia e një doze. Një ton fentanil përfaqëson 20 milionë doza dhe ka vlerë rreth 8 miliardë pesos meksikane”.
Operacioni u krye në dy faza të veçanta, me pjesëmarrjen e Marinës, Ministrisë së Sigurisë dhe Mbrojtjes Qytetare, Ministrisë së Mbrojtjes, Gardës Kombëtare dhe Prokurorisë Federale.
Trafiku i drogës nga Meksika drejt Shteteve të Bashkuara është një temë e nxehtë diskutimesh mes dy vendeve. Pak ditë më parë, presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, paralajmëroi një tarifë prej 25% për të gjitha produktet nga Meksika, nëse nuk ndalet fluksi i drogës dhe emigrantëve drejt SHBA-së. (A2 Televizion)