
Italia pritet të përballet me ndërprerje të transportit dhe shërbimeve publike të premten, më 30 tetor, për shkak të një greve të përgjithshme 24-orëshe të thirrur nga sindikatat bazë. Protestat do të zhvillohen në Romë, Milano dhe qytete të tjera të vendit.
Greva, e organizuar nga sindikata Unione Sindacale di Base (USB) dhe e mbështetur nga organizata të tjera sindikale, përfshin punonjës të sektorit publik dhe privat.
Sindikatat protestojnë kundër rritjes së kostos së jetesës dhe shpenzimeve për riarmatim, ndërsa kërkojnë rritje pagash, kontroll të çmimeve të produkteve bazë dhe rikthimin e sistemit të indeksimit të pagave.
Ndërprerjet në transportin hekurudhor pritet të nisin që në orën 21:00 të së enjtes, më 29 tetor, dhe të zgjasin deri në orën 21:00 të së premtes. Në grevë mund të përfshihen punonjës të kompanive Trenitalia, Italo dhe Trenord. Për udhëtarët do të ketë orare të garantuara, zakonisht nga ora 06:00 deri në 09:00 dhe nga ora 18:00 deri në 21:00.
Edhe shërbimet e autostradave dhe taksive pritet të preken nga greva. Punonjësit e autostradave do të ndërpresin punën nga ora 22:00 e së enjtes, ndërsa taksitë pritet të ndalojnë shërbimin nga mesnata deri në mesnatën e së premtes.
Në Romë, greva do të prekë autobusët, tramvajet dhe linjat e metrosë. Shërbimet e rrjetit ATAC do të garantohen nga fillimi i qarkullimit deri në orën 08:30 dhe nga ora 17:00 deri në 20:00. Jashtë këtyre intervaleve mund të ketë ndërprerje të konsiderueshme. Probleme mund të ketë edhe në linjat jashtëurbane, përfshirë shërbimet Metromare dhe Roma Nord. (A2 Televizion)