
Kuvendi i Kosovës e ka themeluar një komision parlamentar për të hetuar nëse kishte mungesë veprimesh nga institucionet e sigurisë dhe drejtësisë në lidhje me vrasjen e Arlinda Zekajt ditë më parë, ndërkohë që autoritetet i kanë pezulluar 13 zyrtarë që ishin marrë me rastin e saj për dhunë në familje.
Zekaj dyshohet se u vra nga kunati i saj më 25 tetor, ndërsa bashkëshorti i saj po mbahej në ndalim për kanosje ndaj saj. Vrasja e saj, e cila ndodhi pavarësisht thirrjeve të saj të vazhdueshme për mbrojtje, ka nxitur zemërim të madh në vend.
Në një seancë të enjten, Kuvendi e miratoi me 90 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim komisionin hetimor me 11 anëtarë, i cili ka për detyrë të zbardhë lëshimet e dyshuara zinxhirore të institucioneve në rastin e 49-vjeçares nga Vitomirica e Pejës.
Komisioni detyrohet që ta përpilojë një raport përfundimtar me gjetjet e hetimit dhe t’ia paraqesë atë Kuvendin brenda një afati prej gjashtë muajve nga data e themelimit. Ky komision buron nga një rezolutë që Kuvendi e miratoi të hënën për hetimin e vrasjes së Zekajt dhe parandalimin e dhunës ndaj grave, përcjell A2.
Një kryeprokurore, një prokurore dhe 11 zyrtarë policorë janë pezulluar të enjten lidhur me mënyrën se si ishin marrë me rastin e Zekajt.
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) i pezulloi nga detyra kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj dhe prokuroren e rastit të Zekajt, Arlinda Nallbani Gacaferi.
KPK-ja tha në një njoftim për media se ka themeluar panel hetimor për trajtimin e rastit të Zekajt.
Si ndaj Vuçetajt, ashtu edhe ndaj Nallbani Gacaferit, KPK vendosi që të iniciohen procedura disiplinore dhe për këtë u themelua panel hetimor, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, Policia e Kosovës tha më vonë se i ka pezulluar 11 zyrtarë policorë lidhur me trajtimin e rastit të Zekajt.
Ndaj këtyre zyrtarëve policorë është duke u zhvilluar një hetim paraprak nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), lidhur me veprimet apo mos veprimet e tyre në rastin në fjalë, tha Policia.
Bazuar në rekomandimin e IPK-së, Policia e Kosovës pezulloi ushtruesin e detyrës së drejtorit Rajonal në Pejë, Agron Hasanaj, komandantin e Stacionit Policor në Pejë, Faik Jahmurataj, zëvendëskomandantin, shefin e Sektorit të Hetimeve etj.
Në mesin e të pezulluarve janë edhe katër hetues policorë të Stacionit Policor në Pejë.
Policia tha se i pezulloi ata bazuar në udhëzimin administrativ për shkeljet, masat dhe procedurat disiplinore. Ky udhëzim thekson se pezullimi nga puna mund të zgjasë më së shumti gjashtë muaj. Pas kësaj periudhe punëdhënësi është i obliguar që të punësuarin ta kthejë në punë ose t'ia shkëpusë kontratën e punës.
Duke komentuar vendimin e KPK-së, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha se për herë të parë në dekadën e fundit, ky këshill i tha “jo kulturës së pandëshkueshmërisë”.
“Ky vendim është llogaridhënie, është mesazh ndaj secilit se jeta e njeriut është e shenjtë, të drejtat e grave nuk janë dekor, pozita zyrtare nuk janë privilegj, por duhet të jetë shërbim, përkushtim dhe përgjegjësi”, shkroi ai në Facebook.
Miftaraj tha se shembullin e KPK-së për llogaridhënie duhet ta ndjekin edhe institucionet e tjera, përfshirë policinë, gjyqësorin, shërbimet sociale, Komuna e Pejës, Ministria e Drejtësisë dhe ajo për Punë të Brendshme.
Thirrjet e Zekajt për ndihmë
Arlinda Zekaj u vra mbrëmjen e 25 tetorit dhe dorasi i dyshuar është kunati i saj, i cili është arrestuar dhe gjendet në paraburgim.
Ajo kishte kërkuar vazhdimisht ndihmë nga institucionet. Dy ditë para vrasjes, ajo i kishte shkruar një letër kryeprokurores Vuçetaj, duke u ankuar për mënyrën e trajtimit të rastit të saj dhe moszbatimit të vendimit gjyqësor.
Zekaj i ishte drejtuar autoriteteve duke thënë se qysh në dhjetor të vitit të kaluar, bashkëshorti i saj, prej të cilit ishte ndarë, e kishte kërcënuar me jetë.
Më vonë ishte lëshuar një urdhër urdhër mbrojtjeje dhe kishin vendosur që përkohësisht kujdestaria e fëmijës së mitur të çiftit t’i kalonte Zekajt.
Autoritetet po ashtu kishin urdhëruar që bashkëshorti të mos i afrohej, teksa kishin vendosur se ajo mund të qëndronte në shtëpinë e përbashkët të çiftit.
Pas vrasjes së saj, Prokuroria Themelore në Pejë tha se, prokurori kujdestar vlerësoi se kthimi i menjëhershëm në shtëpi mund t'ia rrezikonte jetën. Ai e udhëzoi të qëndronte te vëllezërit dhe planifikon që kthimi i saj në shtëpi të bëhej me shoqërim policor.
Në ditën e vrasjes, Arlinda Zekaj e bëri denoncimin e fundit për dhunë në familje. Bashkëshorti i saj, prej të cilit ishte ndarë, u ndalua për 48 orë, teksa ajo këmbënguli që në përputhje me vendimin gjyqësor të kthehej në shtëpinë e përbashkët.
E pyetur nëse ndihet e sigurt në shtëpi, duke qenë se aty ndodheshin familjarët e bashkëshortit, ajo e pranoi se siguria e saj mbetej e cenuar, por këmbënguli në të drejtat e saj.
Pak minuta pasi Policia e shoqëroi në shtëpi, Arlinda Zekaj dyshohet se u vra me sëpatë nga kunati i saj.
Kunati i saj më pas u arratis, por u arrestua në Deçan në orët e vona të 27 tetorit dhe më pas gjykata i shqiptoi masën e paraburgimit prej një muaji.
Arlinda Zekaj është gruaja e tetë që është vrarë gjatë këtij viti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar një raport nga Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Brendshme për këtë rast. Ai ka thënë se në rastin e Zekajt qartazi që ka pasur një zinxhir sistemor lëshimesh nga institucionet përgjegjëse për sigurinë dhe drejtësinë.
Qindra protestues marshuan të mërkurën në Prishtinë për të kërkuar përgjegjësi institucionale për vrasjen e Zekajt.
Ndër kërkesat kryesore të protestuesve ishin përgjegjësia institucionale, përfshirë dorëheqja e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla./ REL (A2 Televizion)