Kërkoi arrestimin e tij, Netanyahu sulmon Mamdanin: Po nxit urrejtje e përçarje

Nga Rosalba Bejdo
27 Korrik 2026, 14:46 | Bota

Kërkoi arrestimin e tij, Netanyahu sulmon Mamdanin: Po nxit urrejtje e

Pavarësisht polemikave dhe thirrjeve për arrestimin e tij, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka konfirmuar se do të marrë pjesë në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork këtë vjeshtë.

Vendimi vjen pasi kryebashkiaku i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, kishte deklaruar më herët se do të zbatonte urdhër-arrestin e lëshuar ndaj Netanyahut nga Gjykata Penale Ndërkombëtare në vitin 2024, shkruan A2 CNN. Megjithatë, javën e kaluar ai pranoi se administrata e qytetit nuk ka kompetencë ligjore për ta arrestuar kryeministrin izraelit dhe se një veprim i tillë është në dorën e autoriteteve federale.

Në një intervistë për Fox News, Netanyahu tha se nuk është i shqetësuar nga deklaratat e Mamdanit, duke e akuzuar atë se po nxit urrejtje dhe përçarje.

“Ai supozohet të jetë kryetari i bashkisë së të gjithë banorëve të Nju Jorkut: hebrenjve, të krishterëve, myslimanëve, të gjithëve. Por ai po përpiqet ta kthejë një grup kundër tjetrit dhe po mbjell urrejtje dhe frikë”, tha Netanyahu.

Kryeministri izraelit do të udhëtojë këtë javë në Shtetet e Bashkuara për t’u takuar me presidentin Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të senatorit të ndjerë Lindsey Graham. Vizita në Nju Jork nuk është pjesë e këtij udhëtimi, ndërsa pjesëmarrja në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së është planifikuar për muajt e vjeshtës.

Zohran Mamdani, një mbështetës i kauzës palestineze, e ka quajtur Netanyahun “kriminel lufte” dhe gjatë fushatës së tij premtoi se do të zbatonte urdhër-arrestin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare të lëshuar në vitin 2024.

Izraeli i ka mohuar akuzat për krime lufte në Gaza, ndërsa Netanyahu i ka cilësuar ato si të pabazuara. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos