Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara po bëjnë një përshpejtim vendimtar drejt paqes, duke kapërcyer përçarjen që ndodhi midis Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky në takimin e tyre të fundit ballë për ballë në zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë.
Samiti i Jeddah ndërmjet delegacioneve të dy qeverive shkoi më mirë se sa pritej. Me një deklaratë të përbashkët, në fund të një maratonë negociuese, e cila vulosi një pikë kthese të mundshme pas më shumë se tre vjet konflikti, Kievi pranoi propozimin amerikan për një armëpushim 30-ditor dhe Uashingtoni në këmbim premtoi se do të rifillonte menjëherë ndihmën ushtarake dhe ndarjen e inteligjencës së tij.
"Tani SHBA i kupton argumentet tona," u shpreh Zelensky.
Kjo u konfirmua edhe nga fjalët e presidentit amerikan, i cili për herë të parë hodhi topin në fushën e Putinit.
"Shpresoj që ai të jetë dakord me planin për armëpushimin. Do të flas me të ndoshta këtë javë, me shpresën për të arritur një armëpushim total në ditët në vijim".
Ndërkohë, A2 CNN raporton se do të fillojnë kontakte të reja mes zyrtarëve rusë dhe amerikanë, por Trump tashmë ka njoftuar se do ta ftojë sërish Zelenskyn në Shtëpinë e Bardhë.
Dita në Jeddah ishte e gjatë dhe intensive. Takimi i parë mes amerikanëve dhe ukrainasve u thirr pas asaj që ndodhi më 28 shkurt në Zyrën Ovale, e cila i kishte kushtuar Kievit ndërprerjen e ndihmës ushtarake dhe të inteligjencës.
Dy delegacione të nivelit të lartë u takuan në qytetin saudit, duke treguar se të dy palët ishin serioze për qëllimet e tyre. A2 CNN shkruan se për SHBA-në, këshilltari për sigurinë kombëtare, Mike Waltz dhe sekretari i shtetit Marco Rubio, për Kievin ishin kreu i zyrës presidenciale Andriy Yermak dhe ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes, Andriy Sybiga dhe Rustem Umerov.
“Ne jemi gati të bëjmë gjithçka për të arritur paqen”, ishin fjalët e para të Yermak për gazetarët, përpara se të zhytej në negociata në hollin e hotelit Ritz-Carlton.
Një qëndrim “i hapur”, me shpresën për një “bisedë konstruktive dhe miqësore me partnerët tanë amerikanë”, siguroi këshilltari i Zelenskit, ndërsa një ditë më parë presidenti ukrainas kishte hapur rrugën duke takuar Princin Mohammed bin Salman, për të konsoliduar ndërmjetësimin saudit.
Para samitit të Jeddah, Kievi kishte ofruar një armëpushim të kufizuar, në ajër dhe në det, si hap i parë drejt një marrëveshjeje më të gjerë me Rusinë, ndërsa SHBA u kishte kërkuar ukrainasve lëshime territoriale ndaj Moskës dhe nënshkrimin e marrëveshjes për mineralet me Uashingtonin. Dhe pikërisht për armëpushimin dhe tokat e rralla, u fokusua seanca e parë e bisedimeve, e cila zgjati tre orë, përcjell A2 CNN.
Në fund të mëngjesit, Waltz dhe Rubio, raportuan se diskutimi "po përparonte". "Gjithçka po ecën normalisht, shumë çështje janë adresuar," zbuloi një zyrtar ukrainas. Pasdite bisedimet rifilluan, duke zgjatur gjithsej mbi nëntë orë.
Negociatat e gjata kanë dhënë rezultate shumë konkrete. Në deklaratën e përbashkët, të dy palët njoftuan se "Ukraina shprehu gatishmërinë për të pranuar propozimin e SHBA-së për një armëpushim të menjëhershëm dhe të përkohshëm 30-ditor, i cili mund të zgjatet me marrëveshje të ndërsjellë të palëve dhe i nënshtrohet pranimit dhe zbatimit të njëkohshëm nga Federata Ruse". A2 CNN shkruan se Uashingtoni do të rifillojë gjithashtu "ndihmën e sigurisë për Ukrainën dhe do të heqë pauzën për shkëmbimin e inteligjencës".
Trump më pas mori miratimin e ukrainasve për të përfunduar sa më shpejt të jetë e mundur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për zhvillimin e burimeve minerale kritike, gjithashtu për të "kompensuar koston e ndihmës amerikane". Kievi arriti të fusë në deklaratë se "partnerët evropianë do të përfshihen në procesin e paqes". Dhe janë liderët evropianë ata që "e mirëpritën lajmin nga Jeddah".
Në këtë fazë, do të jenë ende Shtetet e Bashkuara që do të bisedojnë me Moskën. “Topi është tani në fushën e rusëve”, tha qartë Rubio dhe po planifikohen kontakte të reja të drejtpërdrejta në nivel zyrtar, siç konfirmohet nga Moska.
I dërguari i Trump, Steve Witkoff pritet gjithashtu në kryeqytetin rus të enjten.
Sa i përket Kremlinit, ne jemi duke pritur me kujdesin që e ka karakterizuar Putinin deri më tani, pavarësisht harmonisë së re me Trump. Pak orë para fillimit të samitit saudit, ndër të tjera, Dmitry Peskov kishte denoncuar një sulm masiv me dron ndaj Moskës, duke paralajmëruar se në këtë mënyrë Kievi mund të “kompromisonte paqen”.
Pas kësaj Rusia nisi një sulm me dron në Kiev, Kharkiv dhe Sumy. Këtë e raportuan kryebashkiakët përkatës në Telegram, të cituar nga mediat ukrainase. Kryetari i kryeqytetit, Vitaly Klichko, tha se mbrojtja ajrore ishte në veprim mbi qytetin e tij. Sulmi vjen disa orë pasi SHBA dhe Ukraina arritën një marrëveshje për një propozim armëpushimi 30-ditor, i cili tani duhet t'i dorëzohet Rusisë. (A2 Televizion)