Kryeministri Edi Rama e quajti moment krenarie publikimin e progres raportit të Bashkimit Europian për Shqipërinë këtë të mërkurë.
“Doli Raporti Vjetor i Progresit. Shqipëria vlerësohet më lart se sa asnjëherë më parë. Një tjetër moment krenarie për Shqipërinë Europiane. Një tjetër dëftesë notash domethënëse dhe inkurajuese nga Komisioni Europian. Një tjetër hap përpara drejt objektivit historik të bashkimit me Europën”, shkroi Rama në platformën X, përcjell A2 CNN.
“Por detyrat përpara nesh janë ende të shumta, kurse koha e kalendarit të ngjeshur të negociatave gjithnjë e më e ngushtë. Dhe ky vlerësim nuk i bën as më të vogla, as më pak aktuale problematikat e jetës së përditshme të vendit, të cilat kanë pasur, kanë dhe do të kenë të gjithë vëmendjen time, të qeverisë, të shumicës parlamentare. Përkundrazi, vlerësimi i lartë i raportit të sotëm na motivon për të bërë ende më shumë dhe për t’i bërë gjërat ende më mirë.
Momenti është optimal. Dera e BE është e hapur dhe mundësia e hyrjes është më reale se kurrë. Historia nuk do të na e falte kurrsesi mbytjen në lugën e ujit të pistë të dasive, mllefeve e xhelozive që e kanë penguar vazhdimisht Shqipërinë të ngrihet në lartësinë e potencialit të saj. Kokën lart dhe përpara Shqipëri”. (A2 Televizion)