Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka qenë sot në Danimarkë për bisedime me udhëheqësit e vendeve nordike dhe baltike.
Sipas mediave të huaja, kjo lëvizje vjen përpara udhëtimit të tij në Paris sonte në mbrëmje, ku ai do të takohet me Presidentin francez Emmanuel Macron, përpara të tjera bisedimeve gjatë ditës së nesërme.
Më herët këtë mëngjes, një deklaratë e përbashkët nga Tetëshja Nordike-Baltike (Danimarka, Estonia, Finlanda, Islanda, Letonia, Lituania, Norvegjia dhe Suedia) riafirmoi "mbështetjen e palëkundur" të grupit për Ukrainën dhe premtoi të "rrisë mbështetjen ushtarake".
Danimarka njoftoi gjithashtu se një prodhues ukrainas i armëve do të fillojë prodhimin e karburantit për raketa me rreze të gjatë veprimi në vend, duke shënuar zgjerimin e parë jashtë vendit nga një kompani ukrainase e mbrojtjes.
Duke folur në Kopenhagen këtë pasdite, Zelenskyy tha se pati një “diskutim thelbësor” rreth garancive të mbrojtjes dhe sigurisë së Ukrainës me udhëheqësit e Tetë vendeve Nordike-Baltike, shkruan A2 CNN.
Ai tha se këto bisedime përfshinin "investime në prodhimin e armëve" dhe "forcimin e aftësive tona dhe të partnerëve tanë".
"Ne diskutuam gjithashtu për garancitë e sigurisë. Po zhvillojmë një kornizë. Dhe faleminderit që midis ‘tetë’-ve ka një gatishmëri për të mbështetur në të gjitha dimensionet: në tokë, në det, në ajër dhe në hapësirën kibernetike", tha ai më tej.
(A2 Televizion)