Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka paralajmëruar se e drejta ndërkombëtare humanitare është aq e fortë, sa vullneti i udhëheqësve botërorë për ta mbështetur atë.
Sipas mediave të huaja, Presidentja e organizatës bamirëse, Mirjana Spoljaric, sapo ka lëshuar një deklaratë në prag të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe ka theksuar vuajtjet në Gaza.
"Sipas Konventave të Gjenevës, të gjitha shtetet kanë detyrim jo vetëm të respektojnë të drejtën ndërkombëtare humanitare, por edhe të sigurohen që të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë", tha ajo.
"Koha për të mbrojtur ligjin është tani", vijoi ajo më tej, shkruan A2 CNN.
Ajo shtoi se civilët në Qytetin e Gazës po “vriten, po lihen të uritur dhe po zhvendosen me forcë” pa “asnjë vend të sigurt për të shkuar”, ndërsa banesat dhe infrastruktura kritike “shkatërrohen sistematikisht”.
"Në Bregun Perëndimor, palestinezët po durojnë dhunë të pamëshirshme dhe po dëbohen nga shtëpitë e tyre ndërsa zgjerohen vendbanimet", shtoi ajo më tej.
Çdo shtet, tha ajo, pasi iu referua edhe konflikteve në Ukrainë dhe Sudan, ka një "përgjegjësi morale dhe ligjore për të përmbysur erozionin e këtyre rregullave në të gjithë botën".
"Fati i miliona njerëzve që jetojnë në luftë sot dhe nesër do të përcaktohet nga zgjedhjet që bëjnë udhëheqësit për të ruajtur ose braktisur njerëzimin në luftë", përfundoi Mirjana Spoljaric. (A2 Televizion)