
Një lider kurd iranian në Irak thotë se një operacion tokësor në Iran është “shumë i mundshëm”. Babaseikh Hosseini tha se “ekziston një probabilitet i madh për veprim”, ndërsa Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) njoftoi për sulme ndaj objektivave rebele në rajonin gjysmë-autonom kurd të Irakut.
Lideri i një grupi nacionalist kurd iranian me bazë në rajonin gjysmë-autonom kurd në veri të Irakut tha se është “shumë e mundshme” që kurdët iranianë të ndërmarrin një operacion tokësor përtej kufirit drejt Iranit.
Babasheikh Hosseini, sekretari i përgjithshëm i Khabat Organisation of Iranian Kurdistan, tha të premten se aktualisht nuk ka një operacion, por se Shtetet e Bashkuara kanë kontaktuar me grupin dhe se ata po shqyrtojnë mundësinë e një fushate.
“Ne kemi planifikuar për një kohë të gjatë dhe tani që kushtet janë më të favorshme, ekziston një probabilitet i madh për veprim”, tha Hosseini nga rajoni kurd. “Ende nuk kemi marrë një vendim përfundimtar, por është shumë e mundshme që të nisim një operacion tokësor”, shtoi ai. “Amerikanët na kanë kontaktuar përmes kanaleve të ndryshme, por deri tani nuk jemi takuar drejtpërdrejt, megjithatë ata na kanë kontaktuar”.
Ndërkohë, Garda Revolucionare e Iranit tha të shtunën se kishte goditur “grupe separatiste” në rajonin kurd, ndërsa lufta SHBA-Izrael kundër Iranit hyri në javën e dytë. “Tre lokacione të grupeve separatiste në rajonin irakian (të Kurdistanit) u goditën këtë mëngjes,” thuhej në një deklaratë të IRGC. “Nëse grupet separatiste në rajonin e Kurdistanit bëjnë ndonjë lëvizje kundër integritetit territorial të Iranit, ne do t’i shkatërrojmë”.
Sulmi i raportuar ndodhi disa orë pasi qeveria e Irakut dhe Qeveria Rajonale e Kurdistanit thanë të premten se territori i Irakut nuk duhet të përdoret si bazë për sulme kundër vendeve fqinje, pas raportimeve se luftëtarët mund të përpiqen të kalojnë në Iran. Kryeministri Mohammed Shia al-Sudani dhe presidenti i rajonit të Kurdistanit Nechirvan Barzani ranë dakord në një telefonatë se “territori i Irakut nuk duhet të përdoret si pikë nisjeje për sulme kundër vendeve fqinje”, sipas zyrës mediatike të kryeministrit.
Teherani kërcënoi të premten se do të godasë nëse luftëtarëve kurdë iranianë në mërgim u lejohet të hyjnë në Iran. Izraeli ka bombarduar pjesë të Iranit perëndimor për të mbështetur luftëtarët kurdë iranianë. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha të premten se do të ishte “e mrekullueshme” nëse ata kalojnë kufirin. “Mendoj se është e mrekullueshme që duan ta bëjnë këtë, unë do ta mbështesja plotësisht”, tha presidenti. Deklarata e IRGC erdhi disa orë pasi dronë goditën aeroporte dhe objekte nafte në Irak të premten, ndërsa trupat e udhëhequra nga SHBA-ja rrëzuan disa dronë mbi kryeqytetin kurd Erbil në veri të vendit. (A2 Televizion)