Kush ishte Ismail Haniyeh? Lideri i Hamasit me 13 fëmijë, jeta në arrati dhe lufta me Izraelin

Nga Xhevahir Qardaku
31 Korrik 2024, 10:51 | Bota

Ismail Haniyeh e kaloi thuajse gjithë jetën e tij në luftë të vazhdueshme kundër Izraelit. Ai ishte 62 vjeç, kishte lindur në një kamp refugjatësh në Rripin e Gazës dhe kishte 13 fëmijë, 3 prej të cilëve iu vranë këtë vit në enklavën palestineze.

Kjo ishte videoja e fundit e tij përpara se një raketë t’i merrte jetën në Teheran. Ismail Haniyeh ishte 62 vjeç dhe që prej vitit 2017 ishte lider politik i Hamas. I mbiquajtur Abu Abed, ai lindi në një kamp refugjatësh në Chatti, afër Gazës, në një familje me origjinë nga qyteti i Ashkelon, në Izraelin jugor, të cilët më pas u detyruan të iknin.

Që nga viti 2019 ai jetonte në Doha të Katarit që i kishte dhënë azil politik. Si i ri ai studioi në Institutin Al-Azhar, i financuar nga Agjencia e OKB-së për Refugjatët Palestinez dhe u diplomua për letërsi arabe në Universitetin Islamik të Gazës.

Në vitin 1983 ai iu bashkua Bllokut Islamik të Studentëve, i konsideruar si pararendës i Hamasit. Haniyeh ishte ngritur në radhët e lëvizjes, duke u bërë një bashkëpunëtor i ngushtë i bashkëthemeluesit të saj, të ndjerit Sheik Ahmed Jasin.

Gjatë Intifadës së parë ai ishte burgosur disa herë nga autoritetet izraelite: Haniyeh kishte vuajtur 18 ditë burg në 1987, gjashtë muaj në 1988 dhe tre vjet duke filluar nga 1989. Në vitin 1992 ai u arrestua përsëri dhe u dëbua së bashku me të tjerë në Libanin jugor. Në vitin 1993 u kthye në Gaza dhe u bë dekan i Universitetit Islamik.

Me kalimin e viteve ai u kishte shpëtuar sulmeve të ndryshme. Karriera e tij politike e pa atë të ngrihej në detyrë në rolin e Kryeministrit të Autoritetit Kombëtar Palestinez nga viti 2006 deri në vitin 2007.

Për shkak të tensioneve të forta të brendshme - midis Mahmoud Abass dhe Hamasit - ai u ngarkua për këtë arsye të themelonte një qeveri të unitetit kombëtar e cila, megjithatë pati një jetëgjatësi të shkurtër dhe përfundoi me kapjen e Rripit të Gazës nga Hamasi.

Ai ishte i martuar dhe kishte 13 fëmijë, tre prej të cilëve u vranë në një sulm izraelit në fillim të këtij viti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos