Politika e brendshme gjermane ka ngritur alarmin për vendimin fatal të Berlinit e cila ndërpret ndihmat ushtarake për Kievin. Sipas ministrit të Mbrojtjes gjermane, Boris Pistorius, për shkak të përplasjes me Ministrinë e Financave të lidhura me marrëveshjen e re buxhetore "mbi 30 masa të cilave Ukraina u kishte dhënë prioritetin më të lartë për një total prej rreth 3 miliardë eurosh aktualisht nuk mund të vihen në zbatim”, bën me dije media gjermane, Bild, duke cituar burime nga Ministria e Mbrojtjes.
Ministri gjerman i mbrojtjes, Boris Pistorius akuzon Ministrin e Financave, Lindner për "ndryshimin e rregullave të lojës", gjë që "rrezikon furnizimin e vazhdueshëm të të gjitha sistemeve të armëve kundrejt Ukrainës".
Sipas Bild janë afro 1.3 miliardë euro, 600 milionë euro municione artilerie dhe gjysmë miliardë euro, drone dhe mjete të blinduara, armatime të nevojshme, asnjë nga të cilat Ukraina nuk po i merr aktualisht.
Megjithatë në reagimin e tij, ministri gjerman i Financave, Kristian Lindner e kufizoi kritikat duke thënë se: "Ministria Federale e Financave nuk ka marrë ende ndonjë raport konkret për nevojën për këtë çështje. Prandaj, nuk mund të merret as shqyrtim dhe as vendim”.
Kufiri i planifikuar i qeverisë federale për pagesat e ndihmës për Ukrainën është përballur me kritika nga politikanët nga CDU/CSU dhe SPD. Politikani i CDU, Roderich Kiesewetter, tha për "Tagesspiegel" se mos financimi më i mbështetjes ushtarake për Ukrainën nga buxheti "de facto do të thotë se Ukraina po braktiset".
Kritikat ndaj qeverisë federale vijnë gjithashtu nga brenda radhëve të saj. Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Bundestagut, socialdemokrati Michael Roth, u tha gazetave të grupit mediatik Funke:
"Do të jetë një sinjal fatal nga qeveria federale drejt Ukrainës nëse nuk planifikohen fonde të mëtejshme për ndihmë të re ushtarake në të ardhmen nga buxheti federal. Ushtria ukrainase është kthyer në ofensivë për herë të parë pas disa muajsh, vendi tani ka nevojë për mbështetjen e plotë të aleatit të tij më të rëndësishëm ushtarak në Evropë, Gjermanisë”, tha Roth.
Të premten, Frankfuerter Allgemeine Zeitung raportoi se ministri gjerman i financave Christian Lindner informoi kolegun e tij Pistorius se Gjermania nuk do të ishte në gjendje të financonte ndonjë mbështetje të re për Ukrainën. (A2 Televizion)