
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi të enjten se Irani nuk duhet të marrë pjesë në Botërorin e 2026 në Amerikën e Veriut, duke argumentuar se kjo do të rrezikonte jetën dhe sigurinë e lojtarëve iranianë.
Komentet e Trump vijnë vetëm disa ditë pas deklaratës së presidentit të Fifa-s, Gianni Infantino, i cili kishte marrë premtimin nga Trump se ekipi iranian do të ishte i mirëpritur në turne, pavarësisht situatës së tensionuar në Lindjen e Mesme.
“Ekipi kombëtar i futbollit të Iranit është i mirëpritur në Botëror, por nuk besoj se është e përshtatshme që ata të jenë aty, për jetën dhe sigurinë e tyre,” tha Trump në platformën e tij Truth Social.
Ndërkohë, ministri i sportit i Iranit, Ahmad Donyamali, njoftoi se ekipi nuk mund të marrë pjesë “në asnjë rast”, duke qenë përfaqësuesi i parë i qeverisë që flet pas nisjes së sulmeve ajrore amerikane mbi Iranin, me mbështetje nga Izraeli, më herët këtë muaj.
Për momentin, Fifa dhe Irani nuk kanë dhënë asnjë njoftim zyrtar mbi pjesëmarrjen e vendit në turne. Irani është tërhequr në Grupin G së bashku me Belgjikën, Egjiptin dhe Zelandën e Re, me tre ndeshjet e planifikuara të zhvillohen në SHBA – dy në Los Angeles dhe një në Seattle. (A2 Televizion)