“Putini po e kthen të gjithë botën kundër tij dhe ai me të vërtetë meriton sanksione shumë më të rrepta se ato që janë në fuqi sot.”
Kështu është shprehur presidenti lituanez, Gitanas Nauswda teksa i kërkoi Bashkimit Evropian të jetë më i ashpër në raport me Rusinë për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Sipas tij paketa e ardhshme e sanksioneve të BE-së kundër Moskës duhet të ngjajë me një "koktej molotovi".
"Shpresoj vërtet që partnerët tanë në Bashkimin Evropian ta kuptojnë se paketa e 17-të e sanksioneve ishte vetëm për nxehmje", theksoi presidenti lituanez.
"Ne duhet të përgatisim një paketë të 18-të sanksionesh që ndikimi i saj t'i ngjajë vërtet një kokteji molotovi", shtoi ai.
Javën e kaluar, BE-ja miratoi paketën e 17-të të sanksioneve kundër Rusisë, të cilat synojnë anijet cisternë të flotës hije të Rusisë, të cilat e ndihmojnë Moskën të anashkalojë sanksionet që godasin eksportet ruse të naftës.
Një paketë e 18-të sanksionesh që është në diskutim parashikon konkretisht sanksione kundër Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2, deklaroi Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
"Po përgatiten edhe sanksione të tjera kundër Rusisë. Sa më gjatë që Rusia të vazhdojë luftën, aq më e ashpër do të jetë përgjigjja jonë", tha javën e kaluar shefja e politikës së jashtme evropiane, Kaia Kalas.
Lituania ka qenë një nga mbështetëset më të zjarrta të Kievit që nga fillimi i pushtimit rus.
Rusia ka ndërmarrë sulme ajrore masive kundër Ukrainës gjatë ditëve të fundit. Sulmet u dënuan gjerësisht, përfshirë edhe nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump, i cili kërcënoi Rusinë me sanksione të reja dhe akuzoi Presidentin rus Vladimir Putin se ishte "çmendur plotësisht".
Nauswda tha se ishte dakord me vlerësimin e Trump. "Këto janë fjalë të forta dhe një deklaratë absolutisht e përshtatshme, sepse kjo na ka qenë e qartë prej kohësh", tha Naousseda. (A2 Televizion)